Aktori shqiptar, pjesë e serialit të BBC-së (VIDEO)

3 Janar, 2018 - 11:50 am

Një aktor shqiptar bëhet pjesë e serialit më të madh dhe më të vjetër të BBC-së, “Eastenders”, që ka 33 vjet që transmetohet në gjigantin mediatik britanik.

Orli Shuka, që jeton prej 20 vjetësh në Londër, luan në episodet e transmetuar në tre ditët e para të Janarit, ndërkohë që producentët e BBC-së i kanë ofruar vazhdimin e rolit të Robertit në episodet e ardhshme, madje me aktorin kryesor të telenovelës së famshme britanike, duke filluar xhirimet në 15 Janar.

Orli Shuka, djali i aktorit të ndjerë Agim Shuka, i njohur për rolin e tij të spikatur në komedinë “Shi ne plazh”, ka një karrierë të suksesshme në kinematografinë britanike, e vështirë për të penetruar, duke luajtur në 6 filma deri më sot, si dhe në disa vepra teatrale siç ishte së fundmi në Teatrin e Manchesterit. Orli Shuke është produkt i Akademisë shqiptare të Arteve në Tiranë, përpara se të vendosej në Londër.

Orli Shuka ka luajtur gjatë karrierës së tij edhe me aktorin me famë botërore, yllin e Hollywood-it, Brad Pitt në filmin “War Machine” apo edhe në filmin Hyena-t.

Ndër filmat që ai ka luajtur janë edhe “Big Dog”, që ka fituar çmim në festivalin e filmit BFI në Londër. Orli Shuka i tha Top-Channel në Londër se “roli im në këtë telenovelë emblemë të BBC-së është padyshim roli më i madh në industrinë britanike të filmit dhe më interesanti, duke pasur parasysh shikueshmërinë e saj, një telenovelë që ndiqet në BBC nga mbi 6 milionë shikues çdo mbrëmje”./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=gMH74afcdoo

Të ngjajshme