Aktorja Luiza Xhuvani feston sot 60-vjetorin e lindjes

26 Mars, 2024 - 1:26 pm

Aktorja e mirënjohur e skenës dhe ekranit, Luiza Xhuvani (Papathanasi), feston sot 60-vjetorin.

Luiza Xhuvani lindi më 26 mars 1964, në Sarandë. U diplomua aktore në Akademinë e Arteve më 1986, por në Teatrin Kombëtar filloi punën pas një përvoje dyvjeçare në Estradën e Sarandës. Ende studente, fillon karrierën si aktore filmi me “Dhe vjen një ditë” (Infermierja) dhe “Flutura në kabinën time” (Flutura) të Vladimir Priftit, me të cilin fiton Kupën për Aktoren më të Mirë në Festivalin e Filmit, të vitit 1985.

Interpretoi në “Fjalë pa fund” (Magdalena) i Spartak Pecanit, “Hetimi vazhdon” (Hetuesja), “Rrethi i kujtesës” (Mbesa) i Esat Musliut, “Muri i gjallë” (Rozafa) i Muharrem Fejzos. Nga viti 1991 e në vazhdim pati një bashkëpunim të suksesshëm me regjisorin Gjergj Xhuvani, nën drejtimin e të cilit interpretoi në filmat “Bardhë e zi”, “Një ditë nga një jetë”, “Dashuria e fundit”, me të cilin fiton përsëri Kupën në Festivalin X të Filmit, më 1995, “Funeral Business” (Sana), me të cilin u shfaq në Festivalin e Venecias në vitin 2000, “Parullat” (Diana), me të cilin fiton Çmimin Aktorja më e mirë e Festivalit të Tokios 2003 dhe së fundi “I dashur armik” (2004).

Në Teatrin Kombëtar interpreton vazhdimisht role protagoniste, si në dramat “Unë dhe Mefistofeli” (Margarita) të B. Hoxhes, “Dhelpra dhe rrushtë” (Klea) të Figueiredos, “Dasëm gjaku” (Nusja) të Lorkës, “Rikardi III” (Ledi Ana) të Shekspirit, “Kati VI” të Alfred Zheri, “Këngëtarja tullace” (Misis Martin) të Ioneskos dhe komeditë “Valsi i Titanikut” (Xhena) e “Oportunesku” të Mushateskut, “Kopshti me dallëndyshe” (Maria) të Cikliropulosit, “Armiku i popullit” (Pietra) të Ibsenit, “Pulëbardha” (Nina) të Çehovit, “Cilindri” (Rita) të De Filipos, regjisor Kastriot Çipi dhe “Kapitulli i dytë” (Xheni) të Sajmonit, regjisor Mehmet Xhelili me të cilin fiton çmimin për Aktoren më të mirë të Festivalit të Aktrimit, Apollon 2004, në Fier. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme