Al Pacino: Filmat si mini-luftëra të ndryshojnë karakterin

25 Prill, 2020 - 3:54 pm

“Gjëja më e bukur që kam dëgjuar ndonjëherë është: Nuk dua që të më humbasësh. Dua që të më kujtosh!”. Kështu është shprehur Al Pacino, i pyetur se si do që të mbahet mend nga njerëzit. Sot ai mbush 80-vjeç, duke qenë një legjendë e gjallë për aktorët dhe dashamirësit e kinemasë.

Në intervistën e dhënë për “Interview Magazine”, aktori flet për fillimet e karrierës, çelësin e suksesit, dhe alkiminë e veçantë që ka pasur me regjizorët e filmave të tij më të suksesshëm.

Cila është idea juaj mbi lumturinë?

Angazhim, përqëndrim, përfshirje. Ideja ime e lumturisë, është se ne nuk e dimë kur jemi apo

jo të lumtur. Dhe as që mendojmë për këtë gjë. Shekspiri shkroi tek Hamleti: “Gëzuar, pasi nuk jemi shumë të lumtur; ne nuk jemi në fakt butoni mbi kapelen e fatit”. E dashuroj këtë thënie.

Çfarë gabimesh toleroni më shumë?

Me kalimn e kohës, kam zbuluar se toleroj shumicën e gabimeve, pasi nëse dikush tjetër i ka bërë ato, me siguri që i kam bërë edhe unë në një moment.

Cili nga personazhet që keni luajtur, ju ka mësuar më shumë mbi veten?

Është e shumë e vështirë të jap një përgjigje të saktë, pasi janë shumë role. Gjërat që kalon në jetë të ndryshojnë, sidomos filmat, pasi ato janë si një mikrokozmos, si mini-luftëra, ku t’i përfshihesh i gjithi. Dhe regjizorët janë “gjeneralët” tanë.

E kam parë këtë gjë me shumë aktorë. Ata janë luftëtarë. Nëse mundesh, dhe je në gjendje, mund ta sfidosh veten dhe të përfitosh nga kjo. Nëse fokusohesh shumë tek të bërit karrierë, mund të humbësh ekuilibrin, dhe të humbësh edhe veten. Karriera është shuma e gjërave.

Kur isha një aktor i ri në të 20-at, dikush më foli për karrierën, dhe unë nuk e dija se çfarë do të thoshte ajo fjalë. Unë nuk e dija çfarë ishte karriera. Në Village, në teatro-kafenenë tonë ne jepnim 16 shfaqje në javë. Duhet që të mbushnim arkën. Kështu jetuam. Kështu do të mbijetonim… Ndoshta aso kohe po bëja gjëra të çmendura, por nuk po mendoja për ndonjë  rrezik apo ndonjë gjë tjetër. Thjesht aktroja.

Po të mos ishe aktor, cilin profesion do të kishe provuar në jetë?

Thurës shportash (qesh). Një miku im thoshte dikur:”Unë do të nis të thurr shporta, në mënyrë që kur të më zbulojnë të tjerët, të jem i pari në këtë lojë”. Nuk e di. Mendoj se do bëja një punë që përfshinte edhe njerëz të tjerë si kuzhinierët, apo diçka e ngjashme.

Kam luajtur në një rol të tillë në filmin “Frankie & Johnny” në vitin 1991, dhe fillova të punoj

si kuzhinier për një farë kohe. Qëndrova në një vend për disa kohë, dhe kjo më pëlqeu. Në restorante ka një shoqëri të këndshme.

Si e keni arritur ekuilibrin midis disiplinës së bazuar tek skenari, dhe spontanitetit emocional?

Varet nga skenari, por duhet që të bësh shumë prova. Në fakt, gjëja më e çuditshme, është se sa më shumë që e provon, aq më spontan bëhesh. Është e kundërta e asaj që mendojnë njerëzit. Aktorët që nuk janë mësuar me këtë praktikë do të thonë:”Kur të vijë koha ime, unë dua të jem spontan”.

Dhe kjo është ajo që ndodh sot me shumë filma. Nuk ka më kohë për prova. Në provë, ti mund të bësh gjëra të ndryshme. Për shembull kur punoja me Sidnej Lamet, ai të jepte 3 javë kohë për të bërë prova vetjake me skenarin. Dikush ka thënë një here:Përsëritja më mban të bleruar!”. Ka një dallim midis tekstit që e lexon në një dhomë vetëm, dhe momentit kur e interpreton atë në sheshxhirimin e një filmi apo skenën e teatrit.

Ju keni punuar shumë herë me Sidnej Lamet, Frensis Ford Kopola dhe Brajan De Palma. Si arrinit t’u përshtateshit kineastëve, që kanë mënyra kaq të ndryshme të punës?

Kur isha më i ri, e kisha më të vështirë. Kisha debate, pasi regjizorët janë të ndryshëm. Por kur punon me secilin prej tyre, kjo të ndihmon pasi i njeh më mire, dhe e sheh se si punojnë. Ruga më e mirë për të mësuar, është të punosh konkretisht… Pasi nisa të bëja filmat e mi, mësova shumë mbi identifikimin e aktorit me regjisorin …Gjithçka është empati.

Nëse do të duhej të bëje një zgjedhje midis skenës dhe ekranit, cila do të ishte ajo dhe pse?

Unë e kam nisur karrierën në teatër, prandaj aty ndihem më komod. Por kam bërë kaq shumë filma, sa që edhe aty ndihem komod. Teatri është më i drejtpërdrejtë. Aty ka reagime të spektatorit, dhe zakonisht teksti është disi më i interpretueshëm për një aktor.

Arritjet tuaja janë shndërruar në një lloj steke, që aspirojnë ta mbërrijnë shumë aktorë të rinj. A ka ndonjë nivel performance që ti e kërkoje me ngulm kur u bëre aktor, dhe a e ke arritur atë?

Një gjë që kam bërë gjithmonë, dhe që është një instinkt natyral i imi, është të përpiqem të mos jem i ashpër me veten. Mundohem të mos kërkoj shumë nga vetja. Pasi kjo nuk më bën të ndihem mirë. Njeriu është gjithmonë në kërkim të arsyes madhore pse po bën atë që bën. Pra

unë jam duke e bërë këtë punë për t’u angazhuar në diçka, dhe çdo rol që luaj, jam duke

u përpjekur të bëj më të mirën. Nuk e lë asgjë pas dore. Dhe shumë herë, përpjekjet e mia nuk kanë dhënë frytet e duhura, dhe ky është një mister për mua.

Kur ishit i ri, kush ishte shefi në familjen tuaj?

Unë jam rritur në një familje me 3 gra dhe 1 gjysh. Nëna ime, motra e saj më e vogël dhe gjyshja ime. Dhe ato sundonin në familjen time. Ishte një periudhë shumë emocionuese në Bronksin e Jugut, nga ku vij unë. Ishim shumë të varfër, por unë kam qenë shumë me fat, pasi kur gjërat u përkeqësuan, unë u largova prej andej.

Jetova rrugëve dhe pata shumë aventura. Ishte një periudhë e vështirë. Por në shtëpi vendoste gjyshja ime. Pas saj vinte nëna ime. Ato ishin relativisht të reja në moshë. Nëna ime më lindi kur ishte shumë e re. Unë i detyrohem shumë asaj për atë periudhë në jetën time. U jam shumë borxhli atyre grave dhe gjyshit tim.

A e inkurajuan ata synimin tënd për t’u bërë aktor?

Jo, por më pranuan si aktor. Ata thoshnin gjithmonë:“Ai është një aktor”. Ajo që inkurajoi karrierën time ishte shkolla, mësuesit që më kujtohet se bisedonin gjithmonë me nënën time. Nuk do ta mësoj kurrë se çfarë i thane aaj për mua, por ato ishin fjalë inkurajuese. Megjithatë unë e braktisa shkollën e mesme për të punuar.

Ndaj edukimi im erdhi kryesisht nga teatri. Mentorët e mi ishin Çarli Lauton, Li Strasberg dhe natyrisht, Martin Bregman. Bregman ishte menaxheri im i parë. Ai më trajtoi si fëmijën e tij. Dhe në një rast më tha diçka që nuk ta thotë askush. Isha vetëm 25 vjeç, ai erdhi të më shihte në një shfaqje, dhe në fund të saj më tha shumë thjesht:”Unë do të të sponsorizoj!”. Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë atë fjalë.

Kur nisët karrierën, kishit ndonjë ide mbi llojin e aktorit që dëshironit të bëheshit? Cilat ishin ëndrrat?

Unë thjesht e doja atë që mësoja, letërsinë, gjithçka ndaj së cilës isha ekspozuar në Nju Jork. Isha një lexues i thekur. Natyrisht pengesë ishte varfëria, por kur je i ri kalon çdo gjë. Mund ta përballosh më lehtë. Me një copë picë, mund të shkosh shumë larg. Kushton vetëm 1.2 dollarë, dhe po aq edhe një biftek. Por në atë moshë mund të jetosh me çdo gjë. Nuk ka rëndësi. Dhe ti mund të shfrytëzosh çdo kalori të asaj pice.

Përgatiti: Bota.al / KultPlus.com

Të ngjajshme