17 Korrik, 2021 - 8:06 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përveç pjesëmarrjes në premierën e filmit kosovar “Pa Vend” në Festivalin e Filmit në Cannes, ai sot së bashku me familjen e tij ka parakaluar edhe në qilimin e kuq të ceremonisë së ndarjes së çmimeve, shkruan KultPlus.
Mediumi francez ‘Canal +’ i ka publikuar këto pamje përgjatë momentit të parakalimit të kryeministrit Kurti, i shoqëruar nga familja e tij.
Kurti ka shkuar në premierë të filmit “Pa vend” nga Kosova për të cilin tha se mori duartorkitje të gjata nga publiku në sallën Debssy në Cannes.
“Nga 3.739 filma të metrazhit të shkurtër nga mbarë bota komiteti selektues i Festivalit të Cannes sivjet i ka përzgjedhur 10 sosh. Në mesin e tyre është edhe filmi nga Kosova “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda i cili sot mori duartrokitje të gjata nga publiku këtu në sallën Debussy në Cannes. Ishte kjo premiera botërore e këtij filmi kurse në fillim të muajit gusht ai do të shfaqet në Festivalin Dokufest në Prizren”, ka shkruar ai për filmin.
Kujtojmë që të premten, filmi kosovar i titulluar “Pa Vend” shkroi histori duke u bërë filmi i parë nga Kosova që dha premierë në garën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit në Cannes. / KultPlus.com