15 Tetor, 2021 - 1:57 pm
Filmi “Zgjoi” i regjisores kosovare, Blerta Basholli, është dhënë premierë tashmë në shumë vende të botës.
Filmi i cili ka fituar plot tri çmime të rëndësishme në Festivalin “Sundance” dhe është propozim i Kosovës në “Oscars 2022”, do të jetë pjesëmarrës tashmë edhe në Festivalin e Filmit në Romë.
Ka qenë Ambasada e Kosovës në Itali, ajo e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se festivali romak do të jetë nikoqir i filmit shumë të suksesshëm vendor.
Ky është njoftimi i plotë nga Ambasada e Kosovës në Itali (pa ndërhyrje):
“Me 18 tetor 2021, Festivali i Filmit në Romë do të jetë nikoqir i filmit Zgjoi i regjisores kosovare Blerta Basholli, e cila rrëfen historinë e vërtetë të Fahrijes, një grua nga Kosova, që mbeti e ve pas luftës në Kosovë.
Filmi Zgjoi ka fituar tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, “Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe shumë çmime në Festivale të tjera të filmit.
Regjisorja Blerta Basholli rrëfen se frymëzimi i saj për filmin ishte jeta e zonjës Fahrije Hoti, e cila portretizon një histori të zakonshme, mirëpo shumë të gjallë dhe të fortë.
Ky film rrëfen historinë e Fahrijes e cila pas luftës ngeli e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh. Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit. Fahrija nuk heq dorë dhe vazhdon të luftojë jo vetëm për të mbajtur familjen e saj, mirëpo edhe për të luftuar paragjykimet kundër një komuniteti që është armiqësor ndaj saj.
Në këtë film luajnë: Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Molikë Maxhuni. / KultPlus.com