Ambasada Franceze uron Blerta Bashollin: Ajo hyri në historinë e kinemasë kosovare

3 Shkurt, 2021 - 1:39 pm

Filmi artistik i regjisores Blerta Basholli, sot bëri historinë e kinemasë kosovare, pasi u vlerësua me tre çmime kryesore në Festivalin e Filmit ‘Sundance’, shkruan KultPlus.

Për suksesin e filmit, shumë artistë dhe figura të njohura e uruan dhe shprehën vlerësimet e tyre mbi këtë ngjarje.

Ndërkaq, edhe Ambasada e Francës në Kosovë ka publikuar një status në rrjetin social Facebook, ku ka uruar regjisoren Basholli.

‘Urime regjisores kosovare Blerta Basholli! Me filmin e saj të metrazhit të gjatë 🎥 🎞 “Zgjoi”, ajo hyri në historinë e kinemasë kosovare 🇽🇰. Në të vërtetë, nuk është vetëm një vlerësim fitues i çmimeve, por tre çmimet kryesore të Festivalit të Filmit Sundance që Blerta Basholli ka arritur, përkatësisht: “Filmi më i mirë”, “Regjia më e mirë” dhe së fundmi “Çmimi i Publikut”.

Ju rikujtojmë se Festivali i Filmit Sundance është festivali më i madh i filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara!

Puna e saj është frymëzuar nga një realitet: Jeta e një gruaje që jeton në Krushën e Madhe, në kërkim të burrit të saj që u zhduk gjatë luftës në Kosovë. Ajo krijon një biznes bujqësor dhe, në fakt, siguron mbijetesën e familjes së saj. Megjithatë, asgjë nuk është e lehtë në një mjedis tradicionalisht patriarkal, ku ambicia e një gruaje nuk shihet gjithmonë me sy të mirë.

Një temë për vëmendje e cila do të mund t’i përkiste shumë shoqërive…’, thuhet në postimin e Ambasadës Franceze në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme