Angelin Preljocaj vjen në Tiranë

21 Mars, 2018 - 10:10 pm

“Polina, të vallëzosh jetën”, quhet filmi i cili do të rikthejë sërish në Tiranë artistin e njohur Angelin Preljocaj. Lajmi është konfirmuar nga ambasada franceze në Tiranë. Filmi do të shfaqet më 23 mars, ora 17.00 në Kinema Millenium. Ajo çfarë e bën interesant këtë film është fakti që është realizuar nën regjinë e së shoqes Valerie Muller e cila do të jetë e pranishme në premierën shqiptare. Kjo është hera e parë që dy artistët e njohur në botën franceze do të jenë bashkë përpara kamerave shqiptare.

Muller është një emër i njohur në kinemanë franceze si regjisore dhe shkrimtare. “Polina” simbolikisht pasqyron jetën e koreografit me origjinë shqiptare, Angjelin Prejlocaj, por subjekti tregon sfidat e një balerini të universalizuar në personazhin e një vajze ruse, Polinës, e cila kishte pasion baletin dhe po ushtrohej rreptësisht në baletin klasik.

Frymëzimi ka qenë historia e një balerine të re (Anastasia Shevtsova) që erdhi nga një qytet i ftohtë i Rusisë drejt Francës, ku mësoi baletin me sakrifica më të mëdha sesa e mendonte. Në film “vizatohet” një portret psikologjik i një gruaje të re që zbulon botën dhe postulatet mbi kapjen e vallëzimit modern nga kamera. Filmi krijon sekuenca të mahnitshme vallëzimi, ku producentët kanë arritur at bëjnë kamerën pjesë të koreografisë. Angjelin Preljocaj i lindur në Francë, nga prindër shqiptarë, i nisi studimet me baletin klasik, përpara se të merrej me kërcimin bashkëkohor pranë Karin Waehner.

Në 1980-n, ai shkon në New York për të punuar me Zena Rommet dhe Merce Cunningham, e më pas vazhdon studimet e tij në Francë. Në vijim ai i bashkohet me Dominique Bagouet deri në çastin kur krijoi kompaninë e tij të parë në vitin 1985. Ai ka krijuar deri më sot koreografitë e 50 pjesëve të baletit, nga solot deri tek format më të mëdha.“Polina” është dhënë premierë në muajin shtator të 2016-s në Pavillon Noir d’Aix në Provence, në Francë. Ky është filmi i parë me metrazh të gjatë i Angjelin Preljocajt, i realizuar me bashkëshorten e tij Valerie Muller.

“Polina, të vallëzosh jetën” ka ardhur e përshtatur nga libri me ilustrime nga Bastien Vivès. Për Preljocajn ky nuk është i vetmi film; ai ka realizuar një seri filmash me motive të koreografisë, që kryesisht janë me metrazh të shkurtër, si “Le postier, Idées noires”, “Un Trait d’Union”, “Annonciation, si dhe “Borëbardha”. Preljocaj konsiderohet si një nga koreografët më të rëndësishëm të kohws. Ai ju bashkëngjit Beletit të Operës Nacionale në Paris në viteve e ’90-ta dhe udhëheq Kompaninë e tij që prej vitit 1985. / KultPlus.com

Të ngjajshme