Anibar nis edicionin e 14-të (VIDEO)

18 Korrik, 2023 - 2:38 pm

Mbi 130 shfaqje filmash, 4 panele diskutimi, 5 punëtori të animacionit të udhëhequra nga ekspertë, 5 prezantime të shfaqjeve ikonike si South Park, programe të shumta speciale dhe netë muzikore, do të zhvillohen gjatë gjithë edicionit një javor të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit – Anibar.

Të pranishëm në hapje të festivalit ishin zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi, deputetja, Adriana Matoshi, ambasadori i Francës, Olivier Guérot, ambasadori i Japonisë, Keisuke Yamanaka, përfaqësues tjerë të institucioneve dhe shoqërisë civile, artistë e artdashës.

Ky edicion i festivalit të filmit të animuar Anibar do të zgjas plot 7 ditë, duke përfunduar më 23 korrik. Edicioni i 14-të është një ftesë për të gjithë me qëllim të zhvillimit të industrisë së animacionit dhe hapave drejt së ardhmes së tij. Si çdo vit tjetër edhe këtë vit qëllimi kryesor i Anibar është shpërndarja e dashurisë, pranimi i të gjithëve, duke u ofruar të gjithë pjesëmarrësve një hapësirë të sigurt për t’u shprehur pa u ndjerë të gjykuar, të diskriminuar ose të lënë jashtë. Ky edicion ka të bëjë me dashurinë dhe të gjitha format e saj të ndryshme dhe ju ftojmë të gjithëve që t’i bashkoheni kësaj kauze të mirë dhe të përhapni dashurinë përreth. / KultPlus.com

Të ngjajshme