18 Qershor, 2024 - 5:40 pm
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar, “Anibar” ka lansuar programin filmik për edicionin e 15-të.
“Jemi të emocionuar të shpallim përzgjedhjen zyrtare të Garës Ndërkombëtare, me 17 animacionet më të mira nga e gjithë bota, të ndara në katër programe që do të shfaqen në katër netët e festivalit”, kanë njoftuar organizatorët.
Në njoftimin e festivalit i cili ka qendër Pejën, bëhet me dije se sivjet në datat 15 deri më 21 korrik do të ndjehet një lloj revolte artistike ndaj patriarkatit nën moton “Smash the partiarchy”.
“Festivali ynë është një vend i shenjtë për imagjinatën radikale, ku sfidohet status quo-ja dhe mbështeten ide të reja progresive. Këtë botim, Anibar do të vazhdojë të mbrojë një shoqëri të ekuilibruar dhe të shëruar, duke krijuar hapësirë për diskutime mbi barazinë, autenticitetin dhe përmbushjen personale, lirinë dhe mirëqenien e çdo individi. Kështu, Anibar do të vazhdojë të përqafojë vizionin e tij për t’u përballur me mentalitetet dogmatike duke i hapur rrugë përfshirjes dhe diversitetit”, njoftojnë nga festivali.
Para nisjes së edicionit të sivjetmë, “Anibar” do të shëtis nëpër turin filmik në qytete të ndryshme. Stacionet e botës së animuar do të jenë Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e Serbia./rtk/ KultPlus.com