5 Korrik, 2019 - 10:31 am
Edicioni jubilar i festivalit të parë të animacionit në Kosovë do të vazhdojë që të sjellë në Pejë regjisorë të njohur.
Takimi me filmbërësit dhe shkëmbimi i përvojave mbetet vizion i “Anibarit”. Për të dëshmuar këtë, organizatorët e Festivalit tashmë kanë bërë të ditur emrat e tre regjisorëve të ftuar. Që të tre për punën e tyre janë shpërblyer me çmime të rëndësishme të fushës së animacionit. Bryan Newton , Matt Taylor dhe Milorad Krstiq do të jenë pjesë e edicionit të 10-të, i cili do të mbahet nga 15 korrik deri më 21 korrik.
“Prej aventurave ndërdimensionale drejt e në Anibar”, kështu është vlerësuar ardhja e regjisorëve Bryan Newton dhe Matt Taylor. Mysafirët e Festivalit, i cili mbahet në Pejë, do të kenë mundësinë që të eksplorojnë më shumë botën e serisë më të guximshme të animuar “Rick and Morty”. Newton dhe Taylor do të flasin më shumë për përvojën e tyre në krijimtarinë artistike.
Gjatë ditëve të festivalit në Pejë do të jetë edhe regjisori Milorad Krstiq, i cili do të jetë pjesë e aktivitetit “Meet the Filmmakers “në kuadër të Festivalit. Krstiq, i cili do të jetë në Pejë për shfaqjen e filmit të tij, ka një kohë të gjatë që njihet në boten e animacionit.