15 Gusht, 2018 - 9:26 am
Peja tashmë është shndërruar në kryeqendër të animacioneve nga të katër anët e botës. E tillë do të jetë për një javë rresht.
“Anibari” ka ndezur projektorët bashkë me mesazhet për barazi gjinore, tema që trajton edicioni i sivjetmë i këtij festivali ndërkombëtar të animacionit. Intro e asaj që do të sjellë, ka qenë ceremonia e hapjes, të hënën mbrëma në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Përveç këtij vendi, janë edhe ekranet e mëdha të dy kinemave që edhe këtë vit organizatorët i kanë improvizuar nën qiellin e hapur, kinema “Liqeni” dhe ajo “Kubat” në parkun “Karagaq”.
Fiks 215 filma, prej 1 mijë e 59 filmave sa kanë aplikuar gjithsej, janë në program. Slogani i këtij edicioni, i nënti me radhë, është i qartë: “50/50”. Me të synon promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri. Migrimi, ngrohja globale, rikthimi i qytetit, kanë qenë disa prej temave që ka trajtuar “Anibari” viteve të kaluara.
I qartë ka qenë zbërthimi i motos që në hapjen zyrtare, me interpretimin e aktores Adelina Tërshani, e cila me një shkop të gjatë në dorë dhe me një poezi kritike, një lloj komedie e zezë dhe plot ironi, paraqiti gjendjen aktuale të gruas në shoqërinë patriarkale.
“Hise në shpi nuk me dhanë… edhe me shqiptar me duhet mu martu se, nëse marr të huaj vend në Kosovë nuk kam. Na hala duhet me prit atij kur t’i çohet për met lan ty me shku ku të shkohet…”, ka qenë një pjesë nga interpretimi kritik ndaj gjendjes së gruas në shoqërinë kosovare.
Pas interpretimit të Tërshanit, festivalin e hapën zyrtarisht filmat e animuar nga Belgjika, Franca, Zvicra dhe Tajvani.
Risi në edicionin e nëntë të “Anibarit” është edhe shfaqja e filmave të metrazhit të gjatë, shkruan KD.