Anthony Hopkins, karriera e suksesshme mes teatrit dhe filmit

16 Qershor, 2020 - 10:00 pm

Anthony Hopkins është aktor i shpërblyer me “Oscar” i njohur për role në filma të shumtë të Hollywoodit, në mesin e së cilëve janë edhe: “The Lion in Winter”, “Silence of the Lambs” dhe “The Remains of the Day”.

Philip Anthony Hopkins u lind më 31 dhjetor të vitit 1937 në Margam të Walesit. Vitet e para të jetës së tij dhe periudha e shkollimit në “Cowbridge Grammar School” ishin relativisht të zakonshme, por kur ai e takoi Rochard Burtonin, kahu i jetës së tij ndryshoi në mënyrë dramatike. I inkurajuar dhe inspiruar nga Burton, Hopkins me t’i mbushur 15 vjet u regjistrua në kolegjin “Royal Welsh College of Music and Drama”.

Pas diplomimit në vitin 1957, Hopkins i kaloi dy vjet në Ushtrinë Britanike para se të zhvendosej në Londër për ta filluar trajnimin në Akademinë Mbretërore të Arteve Dramatike. Disa vjet më vonë ai u shndërrua në personin e favorizuar të aktorit legjendar, Sir Laurence Olivier. Në vitin 1965 Olivier e ftoi Hopkinsin t’i bashkohet Teatrit Kombëtar Mbretëror dhe të bëhet zëvendësuesi i tij. Kur Olivier u detyrua të marrë pushim mjekësor si pasojë e apendicit, Hopkins e zëvendësoi atë në shfaqjen me titull “Dance of Death”, dhe bëri bujë me performancën e tij.

I konsideruar si trashëgimtar i Olivieit për fronin e aktrimit në Britani të Madhe, Hopkins e pati mundësinë e artë për ta bërë kalimin nga skena teatrore në film, gjë që gjithmonë kishte qenë synim për të. Ai filloi të luajë në filma televizivë, si projekti i vitit 1967 i kanalit BBC “A Flea in Her Ear”. Pak kohë pas kësaj ai u angazhua në filmin “The Lion in Winter”, ku luajti krahas yjeve kinematografike, Peter O’Toole dhe Katharine Hepburn.

Gjatë viteve ’70 Hopkins vazhdoi të punojë në projekte filmike dhe skenike, duke marrë vëmendje të mirë nga kritikët për angazhimin e tij të dyfishtë. Ai ka luajtur në shfaqjen e Broadwayit, “Equus”, edhe pse çdo ditë e më shumë përkushtohej në zhvillimin e talentit të tij si aktor i serive dhe filmave. Mënyra e tij e përgatitjes për role gjithmonë i ka mahnitur për të mirë kritikët e filmit, por edhe aktorët e rinj, të cilët e adhuronin atë.

Karriera e Hopkinsit në film filloi kah fundi viteve ’70 dhe fillimi i të 80-ave. Në vitin 1976 ai e fitoi një shpërblim “Emmy” për portretizimin e Bruno Richard Hauptmannit në filmin, “The Lindbergh Kidnapping Case”. Gjatë viteve ’80 Hopkins vazhdoi t’i impresionojë kritikët me punën e tij në filma dhe seri të ndryshme, duke fituar edhe trofe të shumtë në ceremonitë shpërblyese si “Emmy” dhe “BAFTA”.

Në vitin 1989, aktori iu rikthye skenës teatrale për realizimin e dramës muzikore, “M. Butterfly”. Por dy vjet më vonë, Hopkins i cili e kishte arritur moshën 50-vjeçare, më në fund e arriti famën e dëshiruar dhe të merituar. Performanca e tij e paharruar 17-minutëshe e psikopatit të njohur, Hannibal Lecter, në filmin “The Silence of the Lambs”, i frikësoi por edhe i mahniti fansat dhe kritikët anembanë botës. Në kohën kur e pranoi këtë rol, aktori veçse kishte filluar ta konsideronte mundësinë për t’u pensionuar nga filmi, dhe të zhvendoset në Londër për ta vazhduar karrierën e tij në teatër. Por, ky rol jo vetëm që ia solli aktorit shpërblimin “Oscar”, por ia siguroi epitetin e një prej aktorëve më të mirë të Hollywoodit për portretizimin e personazheve të këqij në film.

Hopkins që nga atëherë e ka portretizuar këtë rol edhe në disa vazhdime të filmit. Dhe duke qenë në majë të suksesit në Hollywood me filma të buxhetit të lartë, aktori me mençuri të plotë ka përzgjedhur të luajë në projekte të tilla si: “The Remains of the Day”, “Nixon”, “Amistad”, “Meet Joe Black”, “Instict”, “Proof”, “Beowulf”, “Thor”, “Hitchcock”, “Noah”, “Transformers: The Last Knight”, “Westworld” dhe të tjerë.

Ndërkaq gjatë karrierës së tij në film, Hopkins përveçqë ka arritur të konsiderohet një prej aktorëve më të pëlqyer dhe më të kërkuar, ai po ashtu është shpërblyer me çmime të shumta kinematografike. Në vitin 2000 ai u bë shtetas i Amerikës, dhe disa vjet më vonë e pranoi çmimin special për arritje jetësore, “Cecil B. DeMille”.

Roli i fundit i aktorit në ekran të madh ishte në filmin e vitit 2019, “The Two Popes”, ku ai e portretizoi Papën Benedikt, ndërsa aktori Jonathan Pryce e luajti rolin e Papa Franqeskut.

Në vitin 2003, Hopkins u martua me gruan e tij të tretë, shitësen e veprave antike, Stella Arroyave, e cila me prejardhje është nga Kolumbia. Në të kaluarën ai kishte qenë i martuar me Jennifer Lyntonin, nga viti 1973 deri më 2002-n, dhe martesa e tij e parë ishte me Petronella Barkerin, me të cilën ishte martuar në vitin 1967 dhe ishte ndarë pas 5 vjetësh. Me Barkerin aktori e ka një vajzë të quajtur Abigail Hopkins.

Aktori për një kohë të gjatë e ka luftuar varësinë nga alkooli, dhe një herë kishte deklaruar: “Për disa dekada rresht e kam jetuar një jetë goxha vetëshkatërruese. Vetëm pasi arrita t’i mundja përbindëshat brenda vetes, e gjeta mënyrën për ta shijuar aktrimin në përgjithësi,” citohet të ketë deklaruar aktori.

Në vitin 1975, Hopkins filloi të ndjekë takime të personave të alkoolizuar, dhe vuri rregull në jetën e tij. /KultPlus.com

Të ngjajshme