3 Shtator, 2020 - 3:47 pm
Është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve të famshme, kryesisht në Norvegji. Aktori shqiptar, Arben Bala nuk i ka munguar as skenës shqiptare. Kur është fjala për filma aksion, Bala është ndër aktorët e parë që ju bie në mend regjisorëve, shkruan KultPlus.
Një projekt gjigant në Norvegji tashmë ka marrë hovin. Bëhet fjalë për serialin “Jordbrukerne” ku aktori Bala po bart mbi supet e tij rolin kryesorë.
Kjo njëherit e bënë atë si aktorin e parë shqiptarë me rol kryesorë në një serial ndërkombëtarë.
Aktori Arben Bala ka treguar për KultPlus se ky rol është ndër më të mëdhenjtë që ka pasur deri më tani dhe kjo padyshim që e bënë tejet të lumtur, por njëkohësisht gjithë këtë projekt e sheh edhe shumë sfidues.
“Xhirimet po shkojnë në formën më të mirë, kjo padyshim pasi që është një projekt gjigand dhe me një ekip tejet profesional. Nuk kam fjalë të përshkruaj sa i lumtur jam sepse ky rol është jashtëzakonisht i rëndësishëm për karrierën time. Jam duke marrë kritika shumë të mira për punën që po e bëj e kjo po shndërrohet në forcë e vullnet që të jap më të mirën nga vetja”, ka thënë Bala për KultPlus.
Projekti është një seri dramë satirike prej 8×45 minuta, e cila do të transmetohet në NRK, dhe është prodhuar nga Rubicon.
Sipas aktorit, seriali bën fjalë për një grup fermerësh shumë të pazakontë në një fshat në Telemark. Katër burra lëvizin nga skaji lindor i Oslos në një fermë në Telemark. Ata presin të përballen me disa paragjykime dhe ksenofobi nga banorët e fshatit, por ndodh e kundërta. Në Telemark, ata gjejnë një bashkësi rurale shumë gjithëpërfshirëse që i mirëpret me krahë të hapur. Banda Oslo kështu përfshihet në një numër incidentesh në komunitetin lokal. Rezulton gjithashtu se ferma vjen me njëqind dhi për të cilët nuk ishin të përgatitur të ishin përgjegjës. Fermerët janë për gjetjen e kuptimit në jetën ku ju e prisni më pak, në një histori që sillet rreth bujqësisë, miqësisë dhe djathit.
Arben Bala është shumë aktivë edhe në rrjetet sociale. Në profilin e tij në Instagram ai sot ka publikuar një fotografi me simbolin e shqiponjës duke e shprehur dashurinë e tij për vendlindjen. Ai ka shkruar se suksesi më i madh për të është atëherë kur e bën krenarë popullin e tij.
“Çdo sukses timin ja dedikoj vendlindjes time. Kosova përherë në zemrën time. Sukseset mund të jenë të ndryshme, por suksesi më i madh për mu është kur e bëj popullin tim krenarë. Shqiptarë me ju e për ju gjithmonë! Stay tuned, projekte gjigande po vijnë”, ka shkruar Balaj.
Kujtojmë që falë talentit dhe punës së madhe, Arbeni deri më tani ka arritur të bëhet pjesë e shumë filmave dhe serialeve të njohura norvegjeze. Talenti dhe puna e madhe, i hapën dyert e një prej institucioneve më të mëdha në Norvegji, ato të Teatrit Kombëtar Norvegjez në Oslo, duke u bërë kështu për tri vite rresht aktorë rezident i teatrit. Deri më tani Arbeni ka luajtur më shumë se 16-të filma dhe këtu duke mos i përfshirë rolet në teatër. / KultPlus.com