15 Tetor, 2021 - 12:35 pm
Këtë javë u ndanë çmimet në Festivalin Ndërkombëtar të Serive në Kanë. Ndër serialat që bënë bujë në këtë festival ishte edhe seriali ”Countrymen” i realizuar nga regjisori shqiptar Izer Aliu, pjesë e të cilit ishte edhe aktori Arben Bala. Ishin këta dy shqiptarët, që ditën e djeshme morën vëmendjen e mediave botërore, si personazhet që triumfuan në këtë festival prestigjioz, shkruan KultPlus.
Seriali dramatik “Countrymen” arriti të marrë dy çmime të rëndësishme; për performancën e kastit të ansamblit të tij (aktorët më të mirë) dhe çmimin “High-School Best Series” (seria më e mirë nga juria e të rinjve).
Historia e këtij seriali tejet të famshëm në Norvegji, ndjek katër burra myslimanë që lëvizin në një pjesë rurale të Norvegjisë dhe përfundojnë duke krijuar biznesin e parë të prodhimit të djathit hallall në Norvegji. ”Me humor të errët, të thyer shpesh për të zbuluar ndjenjat e brendshme të personazheve, “Countrymen” përpiqet të zhytet auditorin në një Norvegji moderne multikulturore, pa e marrë veten shumë seriozisht”, thekson revista Variety.
KultPlus ka kontaktuar aktorin Arben Bala, njëri nga fituesit e çmimit për aktorin më të mirë në këtë festival, i cili mes emocionesh të mëdha deklaroi të ndjehet tejet i lumtur, njëherit edhe shumë krenar që është shqiptari i parë fitues i një çmimi kaq të madh, duke theksuar tutje se krejt kjo ndjenjë rrjedh nga fakti i vlerësimit të shumë regjisorëve të mëdhenj, ndaj tij. ”Isha vërtet i befasuar dhe shumë i lumtur. Ky çmim do të thotë gjithçka për mua dhe dëshmon se unë mund të luaj gjithçka, jo vetëm një gangster siç kam bërë për 16 vite. Sigurisht se kam shpresuar për një çmim dhe me marrë një çmim kaq të madh për performancën time në aktrim është absolutisht fantastike”, ka deklaruar tutje Bala për KultPlus.
Ndër të tjera, Bala ka treguar se përgjatë 5 muajve të xhirimeve, ka ushtruar shumë si fizikisht po ashtu edhe psiqikisht. Përkundër faktit të situatës pandemike dhe kufizimet që vinin me këtë situatë, Bala ka bërë shumë vrapime e lexime të vazhdueshme deri në perfeksionimin e skenarit drejt xhirimeve finale të serisë.
”Të jeni të përulur dhe të hapur për bashkëpunim. Dije që gjithmonë ke diçka për të përmirësuar kështu që mos mendo se je më i miri shumë shpejt. Mësoni nga ata përreth jush dëgjoni dhe vëzhgoni”, është ky mesazhi që Bala ka dhënë për të gjithë ata që synojnë karrierë ndërkombëtare në cilen do fushë të artit.
Aktorët kryesorë në serial janë: Nader Khademi, Ayaz Hussain, Jonas Strand Gravli, Arben Bala dhe e sapoardhura Erika Strand Mamelund. Ndërsa, Łukasz Zamaro shërbeu si kinematograf i serialit.
“Countrymen” është prodhuar nga studio norvegjeze Rubicon. Kurse, ‘Banijay Rights’ është përgjegjës për shpërndarjen e tij. / KultPlus.com