16 Mars, 2020 - 1:00 pm
Duke i llogaritur të ardhurat e fituara, arkat filmike këtë fundjavë e shënuan arkëtimin më të dobët në dy dekadat e fundit. Kjo, si pasojë e frikës që përhapja e koronavorusit ka shkaktuar në publik, duke bërë që qytetarët të mbyllen në shtëpitë e tyre dhe t’i shmangen kinemave, transmeton Koha.
Sipas portalit “Deadline”, shitja e biletave nëpër kinematë e Amerikës Veriore ka arritur t’i arkëtoj vetëm 55 milionë dollar. Shitje kaq të dobëta ishin shënuar vetëm në fundjavën e 15 shtatorit të vitit 2000, kur kinematë i kishin arkëtuar vetëm 54.4 milionë dollarë nga shfaqja e filmave, “The Watcher”, “Bait” dhe “Bring It On.”
Suksesin më të madh këtë fundjavë e kishte shënuar filmi i ri i animuar, Onëard” i cili Brenda tri ditëve të para të shfaqjes i arkëtoi gjithsej 10 milionë dollarë. Pas tij renditen filmat, “I Still Belive” me 9.5 milionë dollar të arkëtuara, “Bloodshot” me 9.3 milionë dollar, “The Invisible Man” me 6 milionë dollar të fituara dhe “The Hunt” me 5.3 milionë dollar.
Industria e filmit është ndikuar jashtëzakonisht shumë nga pandemia e koronavirusit. Të dielën u bë e ditur se kjo sëmundje besohet se do t’i kushtojë industrisë së filmit rreth 20 miliardë dollarë.
Humbjet tashmë e kanë tejkaluar shifrën prej 7 miliardë dollarësh, pasi puna në disa projekte të mëdha filmike është pezulluar, ose janë shtyrë data e lansimit të këtyre filmave të shumëpritur dhe me buxhet të lartë.
Në mesin e këtyre projekteve janë: “A Quiet Place II”, “Mulan”, “No Time To Die”, “The Batman” dhe të tjerë. / KultPlus.com