15 Dhjetor, 2024 - 2:35 pm
Bashkëpunimi kulturor ndërshtetëror Shqipëri – Kosovë, sjell, në Tiranë, artin e regjisorit Bekim Lumi. Në saje të bashkërendimit të punëve në mes të Universitetit të arteve të Tiranës, MKRS-së dhe të MPJD-së të Qeverisë së Kosovës, të martën më 17 dhjetor 2024 mbahet takimi përkujtimor në nderim të Bekim Lumit, i cili ishte student në Fakultetin e arteve skenike, në Tiranë në vitet e 90-ta, për të krijuar më pas, në Prishtinë, shfaqje teatrore, të cilat vlerësohen emblemë e Teatrit shqiptar. Këto shfaqje kanë përfaqësuar kulturën shqiptare në teatrot evropiane duke u vlerësuar me çmime të mëdha.
Manifestimi me moton “Arti i Lumit në Tiranë” do të ketë këtë rrjedhë gjatë ditës:
17.30 -18,30 Salla Lektorium – Universiteti i arteve
– Fjalë nderi, shqyrtime kritike, promovimi i tri librave të Bekim Lumit; “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë” Dukagjinit, “Engjëlli blu”, “Loja e Bekim Lumit” si dhe 5 numrat e Revistës teatrore “Loja”, kryeredaktor i së cilës ishte ai.. Do të flasin studiues dhe do të recitojnë aktorë nga Tirana dhe Prishtina.
– 18 30-19,30 Galeria FAB e Fakultetit të arteve skenike,
Hapja e Ekspozitës “U artësofshi”, kurator Mentor Berisha, me fotografi, dokumente dhe rekuizita të shfaqjeve të Lumit.
Libra, revista dhe fletëpalosja të shfaqjeve do të dhurohen për Bibliotekën dhe për studentët e Fakultetit të arteve skenike.
-20.00 – 21,15 Teatri kombëtar- ART TURBINA
Shfaqja e Teatrit Laborator “Loja”;
“John Cage’s Hamlet”, në regji të Bekim Lumit
Këtë ngjarje kulturore ndërshqiptare e kanë ideuar dhe mbështetur dy Ambasadat e vendeve tona me angazhimin e ambasadorëve Petrit Malaj dhe Skënder Durmishi, nën përkujdesjen e Dekanit të Fakultetit të arteve në Tiranë, Miltiadh Kutali dhe Këshillit organizativ për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë krijuese të Bekim Lumit, në Prishtinë
Ejani të martën në Tiranë, më 17 dhjetor, dhe shijoni shumëçka nga vlerat e artit bekimian! Ftoni edhe të dashurit dhe të afërmit tuaj! Arti nuk e don dhe nuk e duron harresën!/ KultPlus.com