31 Dhjetor, 2021 - 12:00 pm
Uranik Emini
Të realizoni ëndrrën e juaj të madhe duke qenë vetëm një fëmijë i vogël është diçka e jashtëzakonshme, e këtë fat dhe arritje të madhe ka realizuar vajza e vogël me emrin Arona Zyberi, e cila u bë shumë e dashur për publikun në ekspeditën e saj në Itali me kastën e aktorëve të filmit “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.
Aktorja më e re në moshë në këtë film, tregon në një intervistë për KultPlus se fillimisht ka qenë pjesë e një projekti së bashku me Teuta Krasniqin, e nga aty ka dëgjuar që po kërkohet një fëmijë i vogël për të luajtur në një film me regji të Kaltrina Krasniqit.
“Mami kishte dëgjuar për audiconin dhe më ka njoftuar mua, e më pas edhe kemi vazhduar aty”, thotë Zyberi.
Kur ishte në moshën shtatë-vjeçare, Arona filloi aventurën e saj për të qenë pjesë e një filmi të madh dhe kësisoj aplikoi e u pranua të bëhej pjesë e kastës së këtij projekti.
“Fillimisht regjisorja më ka pyet që ta bind mamin me ma ble një arush, e unë i kam thënë që nuk e kam arushin e bardhë dhe duhet me ma ble një të tillë”.
Ka mjaftuar pjesa e një arushi që Arona të jetë pjesë e një filmi me suksese ndërkombëtare tanimë, “Vera Andrron Detin”.
“Ata e kanë lajmëru mamin në telefon dhe më ka njoftu mami që e kom fitu rolin. Kam qenë duke i bërë detyrat dhe e kam marrë lajmin si në befasi. Kam dashtë me ia bo befasi, por në fund nuk doli”, e thotë ajo me shumë ngazëllim në fytyrë.
Mirëpo, përpara se ta fitonte rolin, Arona ndau një vlerë të jashtëzakonshme që ajo posedon në karakterin e saj.
“Aty ka pasur edhe fëmijë të tjerë e unë nuk kom besu që kam me marrë rolin. Kur kam dalë prej audicionit unë i kam tregu edhe fëmijëve të tjerë për ato se çfarë më pyetën pasi nuk besoja se mund ta fitoja rolin, e kur kam fituar më kanë uruar”.
Pasi ka arritur të fitojë këtë audicion dhe është bërë pjesë e kastës së filmit, Arona tregon se kishte filluar xhirimet në moshën tetë-vjeçare, por për arsye se disa skena kërkonin qëndrimin në një vend, ishin pak të mërzitshme për të.
“Në moshën tetë -vjeçare e kam filluar aktrimin, xhirimet kanë ndodhur në disa vende e jo vetëm në një lokacion. E kemi filluar në shtëpi e më pas kemi lëvizë, përveç Kosovës edhe në Shqipëri. Për pjesën time kanë qenë 11 ditë xhirime, e për të tjerët më shumë. Kanë zgjatë më shumë se që e kam pritë, e pak të lodhshme. E kam pasë një rol me qëndru shtritë duke fjetur dhe është dukë vetëm një këmbë, nuk më ka pëlqy edhe shumë kur kam qëndruar veç në një vend”.
Vajza me një karrierë në aktrim tanimë, pohon se bashkëpunimi me një regjisore siç është Kaltrina Krasniqi ka qenë shumë i mirë dhe madje është gëzuar shumë kur e ka përzgjedhur në film.
Marrëdhëniet e krijuara në film kanë ndikuar që Arona të bëjë disa shoqe të reja në jetën e saj.
“Me Teutën e kam një marrëdhënie më të mirë në film sesa me nënën edhe pse në film kam dashuri për të dyja, por me gjyshen kam bërë më shumë skena dhe është kujdesur më shumë për mua”.
Përshtatja e jetesës për një film është paksa e vështirë, kjo për shkak që një fëmijë ka edhe angazhime të tjera në jetë, por shkolla e ka mirëkuptuar një gjë të tillë.
“Ka pasur disa ditë kur nuk kam qenë në shkollë për shkak të filmit, por në fund filmi ka qenë shumë i mirë. Kur e kam përfunduar filmin, në shkollë dhe në klasë isha njeri i famshëm”.
Derisa nëna e saj shpjegonte nga afër se si ishte pjesa e shkollimit të Aronës, aty ishte e përfshirë edhe pjesa e vizitës në Venecia, si një gjë e jashtëzakonshme e që ndodhë shumë rrallë nëpër Festivale të Filmit.
Prezantimi dhe pjesëmarrja e Aronës në festival ishte magjike për vetë faktin që presidenti i festivalit ishte në emocion dhe ngazëllim kur e pa atë.
“Çdo aktorë ka qenë në lot pas përfundimit të filmit në Venecia, duke më përfshirë edhe mua. Eksperienca në Itali shumë e mirë, njerëzit në rrugë na ndalnin dhe gjithnjë po na komplimentonin për filmin, ndjenjë e veçantë”.
Ajo gjithashtu tregon se gjatë ekspeditës në Itali ka marrë edhe komplimentin që është aktorja më e mirë, gjë për të cilën është ndjerë shumë mirë.
“Kam qef me shku edhe në festivalet e tjera dhe shpresoj që më ftojnë edhe atje i gjithë ekipi”.
Hera e parë kur Kosova dërgoi dy fëmijë të vegjël për të bërë paraqitje në tapetin e kuq në një festival të madh të filmit ishte në edicionin e 88-të të Oscar, kur aktorët Andi Bajgora dhe Lum Veseli bënë paraqitjen e tyre në tapetin magjik.
E rrethuar nga një numër i madh i aktorëve eminent të skenës shqiptare, Arona shihet e buzëqeshur dhe në disponim të mirë në disa fotografi që u publikuan gjatë ecjes në tapetin e kuq në Festivalin e Filmit në Venecia.
“Regjisorja më ka tregu që ka ndodhë shumë rrallë një përfaqësim i tillë. Jam ndje krenare që kemi përfaqësu Kosovën, jam ndje krenare përveç me filmin por edhe me veten. Jam ndje shumë mirë kur është përfundu filmi dhe eksperienca në Venecia, shumë persona na kanë uru për filmin. Shpresoj që edhe personat e tjerë kanë me marrë pjesën e këshillës që me bo çka të dëshirojnë dhe me arritë gjithçka”, ka thënë në vazhdim dhjetë vjeçarja.
Rreth karrierës dhe të ardhmes së saj, Zyberi thotë se do të vazhdojë tutje të merret me film në qoftë se ka role për fëmijë, por tani ajo thotë se ka më shumë filma të dhimbshëm sesa për fëmijët.
E pyetur se ku e gjen veten më mirë, në aktrim apo balet, Arona thotë se këto dyja dallojnë shumë mes veti.
“Aktrimi shumë më i vështirë pasi duhet të kesh talent, edhe baleti është i vështirë por unë mendoj që në aktrim është më vështirë”.
Dëshira e madhe e Aronës për vitin 2022 është që filmi ku ajo merr pjesë të vijë në Kosovë dhe klasa e saj ta shohë këtë pjesë.
“Po pres me padurim që të shfaqet filmi, dua t’i bëj ftesë të gjithë klasës me ardhë e me e pa e gjithë filmin, është dëshirë e imja”.
Përveç aktrimit, ajo ka marrë pjesë edhe në disa reklama të ndryshme, derisa me KultPlus, Arona ndan edhe ëndrrën e saj më të madhe.
“Ëndrra ime është të bëhem e famshme, por jo ta lavdëroj shumë vetën. Kam dëshirë të bëhem një aktore e famshme, ose këngëtare ose edhe një mjeke”.
Mesazhi i Aronës për fund ishte që gjithmonë të ndjekni ëndrrat e juaja dhe të mos i leni diku tjetër, sepse në fund ato realizohen.
Mbështetja e vazhdueshme e prindërve ka ndikuar që një fëmijë i vogël siç është Arona të arrijë diçka të jashtëzakonshme dhe të marrë pjesë në një festival kaq prestigjioz.
Ndërkaëq, filmi “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’. Ky film pritet që gjatë janarit të vitit 2022 të fillojë të shfaqet edhe në Kosovë. /KultPlus.com