13 Gusht, 2020 - 9:34 am
Suada Qorraj
Stephanie Rizaj kalimin e saj si regjisore filmash e konsideron rastësore, ngase lidhja direkte me artin për të filloj shumë vonë, atëherë kur ajo veçse kishte mbushur 24 vjet. Për shumë kohë ajo kishte punuar në fushën e arkitekturës, madje edhe dizajnit të modës. Por, gjatë këtij rrugëtimi atë e kishte përcjellë fantazia e lëvizjes së një shtëpie, shtytjes së saj, shkruan KultPlus.
“Po sikur gratë të mund të lëviznin një shtëpi?”. Në filmin e metrazhit të shkurtër “As If Biting Iron”, regjisorja përdorë pikërisht këtë medium për të sfiduar këtë pyetje, përderisa ne në filmin shtatë minutësh mund të shohim muret e një ndërtese të shkatërruar, të ndërtuara në thellësinë e maleve të Kosovës, duke u lëvizur nga forca e më shumë se 100 grave, të cilat në fund mbesin anonime.
“As If Biting Iron” shoqërohet edhe me rrëfimin e personazhit kryesor që jetën e grave e sheh njëlloj sikurse medalje të dyanshme. Në njërën anë janë gratë ato që shtyjnë murin dhe thyejnë barrierat pikërisht atëherë kur ato gjenden mes tyre. Kurse në anën tjetër mbështetja për murin herë pas here është e vetmja zgjidhje, madje kjo arsyetohet edhe me thënien e vjetër shqiptare “Si me hongër hekër me dhom”.
Viti 2019 gjeti malet e Kosovës, ato që ndajnë Malin e Zi me Shqipërinë, dhe gjenden mu afër qytetit të vogël të Deçanit, të bëra bashkë me idenë e regjisores. Po aty, në mes të këtyre maleve fshihet një ndërtesë e ftohtë betoni, që filloi të ndërtohej në fillim të viteve të tetëdhjeta, si një hotel që nuk u përfundua kurrë. Që nga ajo kohë thuajse është harruar, duke u prishur dita-ditës, tashmë objekti ka filluar të “pushtohet” nga natyra.
Në një intervistë për KultPlus, Stephanie Rizaj ka thënë se pikërisht kjo ndërtesë është një gjurmë e së kaluarës që shënon një moment historik. Sipas saj kontrasti që ekziston në këtë mes është mishërimi i grave, gjeneratës së re që tashmë ka forcën për të shtyrë edhe strukturën e kësaj ndërtese.
“Ndërtesa monumentale është një relike e së kaluarës, një gjurmë njerëzore e cila na tregon një moment historik. Dyzet vjet më parë kur u ndërtua ndërtesa, pylli nuk ishte aq i lartë sa tani. Vizualisht ekziston një kontrast, betoni i ftohtë dhe pemët që fluturojnë në erë, por lidhja e tyre delikate është koha. Gratë e reja të panjohura, si dhe mishërimi i gjeneratës tjetër po e largojnë strukturën larg”, ka deklaruar ajo.
Rizaj lëvizjen e mureve e konsideron si njërin nga veprimet kyçe kundër shtypjes. Ajo beson në fuqinë kolektive të grave, ndonëse procesi i lëvizjes së shtëpive duket i pamundur.
“Të lëvizësh shtëpinë duket si një veprim i pamundur. Por fizikisht, nëse ka mjaftueshëm njerëz, një grup mund të arrijë të bëjë shumë. Unë besoj në fuqinë e bashkimit të grave përmes veprimeve kolektive. Lëvizja e mureve është pikërisht një veprim kundër shtypjes. Por për mua kjo përfaqëson edhe situatën e kosovarëve, sepse duke qenë se është pothuajse e pamundur të lëvizësh lirshëm, rrjedhimisht nënkupton edhe një veprim të barazisë”, ka vazhduar më tutje Stephanie.
Regjisorja Rizaj vazhdon rrëfimin e saj duke treguar se procesi i realizmit të këtij projekti që zgjati pothuajse një vit hasi edhe në pengesa, sepse sipas saj është e vështirë t’i bësh të tjerët të besojnë në vizionet tua. Ajo madje për këtë ka përmendur edhe shembuj konkret.
“Duke u nisur nga ideja e deri te produkti final, ishte proces i gjatë, gati një vit. Pjesa më e vështirë është t’i bësh njerëzit të besojnë në vizionin tënd (shembull, drejtori i shkollës në Deçan si dhe kameramani nga L.A)”, ka theksuar regjisorja.
Gjithashtu regjisorja ka shtuar se nuk ishte e sigurt se sa gra do të vinin, madje ajo nuk e dinte nëse ato do të vinin në xhirimet e këtij filmi. Dy autobusët që ajo kishte marrë me qira kishin arritur që të grumbullonin përplot 120 gra të panjohura për të, për që në fund arritën të jetësonin vizionin e saj.
Ajo shpreson se filmi do arrij t’i prek emocionalisht shikuesit, ashtu siç i kishte ndodhur edhe më përpara kur një nënë me lot në sy i kishte shpjeguar regjisores se historia e jetës së saj dhe e filmit ishin një.
“Nuk dua të ja diktoj shikuesit se çfarë të mendojë për filmin. Shpresoj se do ti prek emocionalisht. Një herë një nënë e re erdhi tek unë dhe qau pasi shikoi filmin, pasi që filmi fliste për rrugën e jetës së saj”, rrëfen Rizaj.
Krejt në fund regjisorja shprehet e entuziazmuar për pjesëmarrjen e saj në festivalin e filmit “Dokufest”. Ajo thekson se çdo herë mundohet të mos ketë pritshmëri, por e konsideron edhe ndjenjë të mirë atëherë kur dikush nderon punën e saj. Rizaj gjithashtu shpjegon se filmi “As if Biting Iron” është krijuar për t’u parë në ekran të dyfishtë, me një projektor të madh, pasi që zërimi luan një rol të rëndësishëm.
“Të shikuarit e filmit në një kinema fizike do të kishte një ndikim ndryshe te shikuesi, por edhe versioni online besoj se do t’i siguroj filmit një audiencë më të madhe”, ka përfunduar kështu intervistën regjisorja Rizaj. / KultPlus.com
Trailer: As If Biting Iron from Stephanie Rizaj on Vimeo.