14 Tetor, 2022 - 5:03 pm
Era Berisha
“Ekrani është një medium magjik. Ka një fuqi të tillë që mund të ruajë interesin teksa përcjell emocione dhe gjendje shpirtërore që asnjë formë tjetër arti as nuk mund të shpresojë t’i trajtojë”. Është një nga thëniet më të famshme që vjen nga regjisori Stanley Kubrick, dhe një e tillë padyshim që vlen edhe për kinematografinë kosovare e cila ka vënë vulë të konsiderueshme në kinematografinë botërore, shkruan KultPlus.
Duke filluar nga loja e aktorëve, zgjuarsia e regjisorëve, shkrepjet e mahnitshme e deri tek shpalosja e historive të ndryshme shqiptare e jo vetëm, filmi është aset që po promovon më së shumti Kosovën nëpër vende të ndryshme të botës. Dy nga filmat më të suksesshëm këtë vit janë “Vera andrron detin” me regjinë e Kaltrina Krasniqit dhe skenarin nga Doruntina Basha dhe “Virgjëresha Shqiptare” me skenar të Katia Kittendrof e regji të Bujar Alimanit, që kanë triumfuar nëpër festivale të ndryshme, përfshirë këtu edhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’.
Në këto dy projekte filmike që kanë pasur sukses të jashtëzakonshëm nëpër botë, kanë qenë pikërisht edhe dy rolet e ndryshme që kanë ardhur nën aktrimin e Astrit Kabashit, ato që kanë treguar dukshëm për një pasion për interpretimin, element kyç i të qenurit një aktor i mirë. Por aktori Astrit Kabashi kapërcen edhe një hap tutje me portretizimin e bindshëm tek dy rolet e tij. Ai komunikon ndryshe me audiencën. Kabashi përcjell emocion të papërshkrueshëm, i shfaq mahnitshëm synimet e personazheve përmes lëvizjeve fizike, të folurit e sidomos shprehjeve të fytyrës. Por, nuk mjafton vetëm me kaq.
Është ajo shkrirja e tij në të dy rolet, që e bënë publikun ta “urrej” personazhin që ai e luan, e kjo sidomos vërehet tek roli i Ahmetit në filmin “Vera andrron detin”, ku ai shantazhohet e detyrohet për të kërkuar medoemos “pasurinë” e vetme të lënë nga kushëriri i tij i ndjerë, ani pse nuk i takon atij që ta marr atë, por që konsiderohej se prona duhet të trashëgohet nga një mashkull i familjes. Pabarazia gjinore është karakteristika kryesore që e fut kokën në këtë histori dhe Ahmeti (Astrit Kabashi), këtë e sjellë më së miri. Ndërsa, tek filmi “Virgjëresha Shqiptare”, rolin që e luan Kabashi është ai i axhës së ‘Burrneshës’, me ç’rast iu nënshtrohet rregullave të Kanunit. Ai e kryen vrasjen e vajzës së tij dhe ajo ftohësi e portretizuar është ajo nëpërmjet së cilës audiencës i dhurohet një akullsi vizuale.
Aktori Astrit Kabashi dukej se është përhumbur plotësisht në të dy rolet dhe “besonte” se personazhet ishin të gjallë ose të paktën kjo është ajo se me çfarë përballen sytë e publikut. Historitë në të dy filmat janë histori që nuk janë të padëgjuara më parë. Andaj, aktrimi i Kabashit ka sjell momente intime dhe detaje që të bëjnë të besosh se nuk je duke e shikuar aktorin, por je ulur dikur afër një familjeje shqiptare dhe po e sheh realitetin në të cilin kanë jetuar e që mund të jetë dhe aktual. Aktori Kabashi ka përcjellë me sukses ndjenjat e synuara dhe shkathtësia e aktrimit të tij në ndërlidhje me llojllojshmërinë e paraqitjes së karaktereve, është patjetër një nga dhuntitë e tij më të çmuara.
Ndërkaq, në një intervistë për KultPlus, aktori Astrit Kabashi ka folur rreth rrugëtimit të tij nëpër “Vera andrron detin” dhe “Virgjëresha Shqiptare”, ka treguar emocionet dhe ka ndarë mendimet e tij për të dyja këto role.
“Po kam pasur fatin të jem pjesë e dy projekteve filmike që pas një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm u shfaqën para publikut vendas në Kosovë në festivalin “PriFilm” në Prishtinë. E është gjithmonë kënaqësi kur filmi shfaqet në kinematë tona, sepse edhe është obligim, pasi që këta filma bëhen nga taksat e këtij publiku. Pyetet edhe për ndjesinë time kur filmi ka rrugëtim te suksesshëm, dhe në fakt aty edhe duhet të jetë qëllimi i këtyre projekteve, përveç ndjesisë së mirë, gjithmonë duhet menduar edhe për një përfaqësim të denjë në festivalet botërore dhe të mos mendohet lokalisht”, ka thënë Kabashi.
Sipas tij, me regjisoren Kaltrina Krasniqi ai është njoftuar edhe më herët dhe ka punuar me të në filmin “Relax”, me ç’rast ka qenë një eksperiencë e mirë, ndërsa kur edhe është ofruar roli, ai nuk ka hezituar aspak. Për sa i përket filmit “Virgjëresha shqiptare”, Kabashi është kontaktuar fillimisht nga producentja Anita Elsani me të cilën ka punuar më herët edhe në filmin “Der Schubling” dhe nga producenti Besnik Krapi, pastaj edhe nga regjisori Bujar Alimani, ku pastaj e ka pranuar rolin.
Për realizmin e dy roleve dhe vështirësive potenciale të hasura gjatë dy rrugëtimeve, aktori Kabashi thotë se ekzistojnë shumë faktorë që nuk varen vetëm nga vetë ai, por që kanë ndikim në performancën e tij si artist.
“Nuk mendoj që ka role të lehta për t’u realizuar, qoftë ai rol epizodik apo rol kryesor. Gjithmonë varet sa ti do t’ia bësh vetes të lehte. Nëse do lehtë dhe mirë, atëherë duhet shumë punë e mund. Çdo herë varet edhe sa jep mundësi skenari, e që është punë që nuk varet vetëm nga ti por nga shumë faktor, si regjia, montazhi, dritat, kamera, grimi, partneri e të tjera”, thotë Kabashi.
Ai tutje tregon se duke marr gjithmonë parasysh kontekstin kohor në të cilin zhvillohen ngjarjet, të dy rolet në të dy projektet filmike, nuk ngjasojnë aspak me njëra-tjetrën, por ngjashmëria e vetme që kanë është patriarkati, e që aktori Kabashi e konsideron si një fatkeqësi që burrat gjithmonë kanë vendosur.
Kujtojmë se ”Vera Andrron Detin” pati premierën botërore në Festivalin e Venedikut, ku u bë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që u paraqit në këtë festival, me ç’rast pati rrëmbyer dy çmime. Po ashtu, filmi ”The Albanian Virgin” pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar, ka fituar dy çmime kryesore, “Çmimin Special të Jurisë” si dhe “Çmimin Ekumenik”. Filmi “Virgjëresha Shqiptare” po ashtu ka triumfuar edhe në Festivalin e Filmit në Ostend, duke fituar “Çmimin e Publikut”, ndërsa aktorja Rina Krasniqi me rolin e saj në “Virgjëresha Shqiptare” është shpërblyer me ‘Special Mention’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cabourg.
Këto suksese të shumta të kinematografisë kosovare, aktori Kabashi i ka cilësuar si vlerësime që dëshmojnë për punën e mirë që është krijuar. Ai tutje thekson se duke pasur parasysh se në cilat festivale janë shpërblyer këto filma, motivi është shtuar në masë të madhe edhe për punët e projektet e tjera të radhës që do vijnë.
Krejt për fund, aktori Kabashi na shpalos se së fundmi ka punuar një film me regjisorin Ilirian Himaj, film ky që si duket, është në përfundim e sipër. Ndërsa, për momentin, ai është duke xhiruar një serial jashtë vendit, e që gjithashtu po pritet që të shfaqet së shpejti.
“Mendoj që kinematografia e Kosovës është në momentin e saj më të mirë. Por, jo gjithmonë kjo punë varet nga artistët, sidomos në kinematografinë tonë që financohet direkt nga buxheti i shtetit, andaj nëse do të ketë financim, patjetër që do ketë edhe film të mirë, siç edhe është dëshmuar”, thotë Kabashi i cili e përmbyll intervistën me faktin që prodhimi i filmit është një promovim i pakrahasueshëm i Kosovës.
“Deri tash prodhimin më të mirë që e ka shteti i Kosovës është filmi.”
“Vera andrron detin” qe filmi që hapi ‘PriFest’ më 20 shtator dhe nga ku ka dalur fituese e çmimit të regjisë më të mirë. Ndërsa, ‘Virgjëresha Shqiptare’ ishte filmi që mbylli ‘PriFest’, më 24 shtator, dhe triumfoi me gjithsej tri çmimet kryesore: “Vjosa Berisha” – filmi më i mirë, si dhe Aktorja dhe Aktori më i mirë.
Në filmin ”Vera Andrron Detin” luajnë: Teuta Ajdini-Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, Ernest Malazogu, Selman Jusufi, Armend Baloku, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Në filmin ”The Albanian Virgin” luajnë: Rina Krasniqi, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Aurita Agushi, Fatlume Bunjaku, Alban Ukaj, Shkurte Sylejmani, Lum Veseli, Mimoza Azemi, Rebeka Qena, Blerta Surroi, Valmir Krasniqi, Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Lulzim Zeqja, Igli Zarka, Jonida Vokshi, Gezim Rudi, Erjon Hodo, Ersiljano Xhelollari etj. / KultPlus.com