24 Korrik, 2023 - 3:33 pm
Filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” me skenar të Shkëlqim Islamit dhe regji të Musa Isufit akoma pa nisë rrugëtimin janë shpallë filma të ndaluar, dhe një vendim i tillë ka ardhë nga autoritetet serbe, pasi që të njëjtit kanë pas me u shfaqë në Luginë të Preshevës, shkruan KultPlus.
Të dy filmat përpos që janë ndaluar, për ta ka nisë edhe një procedurë gjyqësore, nëpërmjet të cilës, autoritet serbe po vlerësojnë se këta filma kanë përmbajtje nacionaliste dhe nxisin urrejtje ndëretnike.
Filmat që ishin mbështetë nga Qeveria e Kosovës si fond për mbështetje për Luginën e Preshevës ishin paraparë që të shfaqeshin në Preshevë, por një letër anonime drejtuar prokurorisë së atjeshme, ka bllokuar këta dy filma, e që përralla e tyre është ndërtuar nga skenaristi Shkëlqim Islami.
Skenaristi Islami është i befasuar me këtë veprim të organeve të drejtësisë, që kanë ndaluar filmat që janë shkruar nga ai, edhe pse, sipas tij, të dy filmat deri më tash janë parë vetëm nga ai, regjisori i filmit Musa Isufi dhe producenti Gani Veseli.
“Prokuroria as që e ka idenë se për çfarë filma bëhet fjalë, ata janë bazuar vetëm në atë letër anonime dhe bazuar po në atë letër ata tashmë kanë ndaluar prezantimin e filmave me arsyetimin se filmat kanë përmbajtje nacionaliste dhe nxisin urrejtje ndëretnike, gjë që nuk është e vërtetë”, ka thënë Islami për KultPlus, e që përmbajtja e këtyre filmave është krijuar po nga Islami, i cili shpjegon se ai nuk ka shkruar skenarët vetëm për këta dy filma, por edhe për tre të tjerë që janë në rrugëtim e sipër të realizimit.
“Nuk është e vërtetë që këta dy filma, por as tre filmat e tjerë që janë në realizim e sipër të kenë përmbajtje nacionaliste dhe që nxisin urrejtje ndëretnike. Këtë ua garantoj edhe prokurorëve serb, por edhe politikanëve shqiptarë në Luginë të Preshevës”, ka thënë Islami.
Se nëse kjo ndalesë ka ardhë edhe për faktin se këta filma janë mbështetë nga Qeveria e Kosovës, Islami nuk ka ndonjë përgjigje, përpos faktit që sipas tij, produksioni “Coloseum” i Gani Veselit, aktor dhe producent nga Presheva kishte pranuar një fond nga Qeveria e Kosovës, dhe si rezultat, e kanë angazhuar Shkëlqim Islamin që të shkruaj skenarët për filmat e paraparë.
“Veseli kishte parë disa realizime me skenarë të mi dhe më ofroi që të shkruaj pesë skenarët e këtyre filmave, dy prej të cilëve tashmë janë ndaluar nga autoritetet serbe”, ka thënë Islami.
Por, sipas tij pse erdhi deri te ky vendim, Islami problemin e adreson te disa nga politikanë shqiptarë në Luginë, ku sipas tij, të njëjtit janë munduar ta anulojnë këtë projekt me pretekstin se këto projekte janë disa ‘vjersha’ dhe se nuk meritojnë buxhet për mbështetje.
“Dhe pas këtyre zhurmave, më pas ky rast ka shkuar edhe deri në gjykatë dhe deri te ndalesa e premierave”, ka thënë Islami.
Islami shpjegon se skenarët që ka shkruar për dy filmat e ndaluar për tematikë kanë vëllavrasjen, besën, tradhtinë…
Edhe përkundër faktit se këta filma tash janë ndaluar nga autoritet serbe, Islami thotë se shfaqjen e këtyre filmave nuk ka kush i ndalë, dhe se sipas tij, pikërisht ky vendim i organeve serbe i ka dhënë një shtytje edhe më të madhe promovimit të këtyre projekteve filmike.
“Produksioni është duke i vendosë datat dhe vendet se ku do të shfaqen këta filma”, ka thënë Islami.
Por çfarë ndjesie mund të sjell ndalesa e një projekti filmik, Islamin ky veprim i autoriteteve serbe e ka kthyer në kohë.
“Një ndjesi të tillë e kam pas në vitin 2006, kur u pata regjistruar në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Rrugës, deri sa po kthehesha në shtëpi, në Kumanovë, në kufirin Serbi- Kumanovë, më futën në një zyrë dhe më kontrolluan. Në xhep kisha një letër me poezinë e Ali Podrimës “Zgjohu Kosovë”, dhe ajo poezi ishte shkak që të më merrnin në pyetje për disa orë. Dhe këto ndalesa po vazhdojnë edhe sot, e që për mua janë vendime absurde”, ka thënë Islami.
“Ata asnjëherë nuk kanë me arritë që të na ndalojnë të krijojmë, të shprehim artin dhe kulturën tonë”, ka thënë Islami.
Ndërkohë, po këta filma të ndaluar nga Serbia do të shfaqen së shpejti në Kosovë, për të cilën ka njoftuar edhe ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Hajrulla Çeku, vendim që e ka pritë mirë edhe skenaristi Islami.
“Lajm shumë i gëzuar, por më vjen keq për publikun e Luginës së Preshevës, të cilët vazhdojnë të anashkalohen. Po edhe për këtë kemi alternativë, ne këta filma në të ardhmen do ti prezantojmë edhe në kanalin zyrtar të produksionit në YouTube”, ku mund ti shohin edhe qytetarët e Luginës, ka thënë Islami./ KultPlus.com