15 Mars, 2021 - 4:27 pm
“Avatar” bëhet sërish filmi më fitimprurës i të gjitha kohërave, pasi e riktheu këtë titull nga filmi “Avengers: Endgame”.
Projekti me buxhet të lartë i vitit 2009 me regji të James Cameron-it, është rilansuar në Kinë të premten më 12 mars, dhe falë të hollave të arkëtuara nga shfaqja nëpër kinema atje, ka arritur ta mund filmin hit të studios “Marvel” i cili renditej pari për nga shuma e të hollave të arkëtuara nëpër kinematë botërore.
“Avatar” tani e gëzon shumën prej 2.802 miliardë dollarëve të fituara nga shitja e biletave nëpër kinematë anembanë botës, duke e tejkaluar “Avengers: Endgame” me rreth 5 milionë dollarë më shumë.
“Jemi shumë krenarë që e kemi arritur këtë moment historik, por Jim dhe unë jemi më të lumtur për faktin se filmi është rikthyer nëpër kinema, gjatë kësaj kohe të vështirë të pandemisë. Duam t’i falënderojmë adhuruesit tanë kinezë për mbështetjen e vazhdueshme. Ne jemi duke punuar shumë në realizimin e filmit të ardhshëm ‘Avatar’, dhe mesi presim ta ndajmë me ju vazhdimin e këtij tregimi epik”, ka shkruar producenti Jon Landau në një prononcim për media.
Regjisorët e filmit “Avengers: Endgame”, Joe dhe Anthony Russo, e kanë pranuar këtë triumf duke e ndarë një imazh që ndërthurë logot e “Avengers” dhe “Avatar”.
“Po ua kalojmë trofeun juve James Cameron”, kishin shkruar ata në mesazhin përcjellës të fotografisë.
Cameron aktualisht është duke punuar në vazhdimet e radhës së filmit “Avatar”. Në muajin shtator të vitit të kaluar ai tha se xhirimet e vazhdimit të dytë të këtij projekti me buxhet të lartë tashmë kanë përfunduar, ndërsa xhirimet e vazhdimit të tretë janë shumë afërt përfundimit.
James Cameron e ka pranuar se ekipi prapa realizimit të filmit kishin arritur ta kenë një jetë afërsisht normale, derisa kanë punuar rreth tij në Zelandë të Re kjo për shkak se ky shtet është përballur me pandeminë e koronavirusit në mënyrë jashtëzakonisht të mirë.
Vazhdimi i dytë në sagën e filmave fantastik-shkencorë “Avatar” do të fokusohet në personazhet, Jake Sully dhe Neytiri, të personifikuar në film nga Sam Worthington dhe Zoe Saldana, si dhe zë vend 12 vjet pas ngjarjes së filmit të parë të lansuar në vitin 2009.
Sipas studios filmike “20th Century Fox” pritet që filmi i dytë “Avatar” të lansohet nëpër kinema më 16 dhjetor të vitit 2022, filmi i tretë do të lansohet më 20 dhjetor të 2024. Ndërsa vazhdim i katërt dhe i fundit i këtij projekti me buxhet të lartë do të lansohen për publikun e gjerë në dhjetor të 2026 dhe 2028./ KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/CMXgCRmp_B5/?utm_source=ig_embed