22 Maj, 2019 - 11:30 am
Pas prezencës në festivalin e Kanës, Menaxhmenti i PriFest tanimë mund të zbulojë disa nga ekspertët dhe kompanitë që pritet të jenë prezente në festival këtë vit, përcjellë KultPlus.
Në kuadër të garës Best Pitch në PriFORUM, këtë vit PriFest do të sjell disa nga ekspertët e rëndësishëm të rrjetit prestigjioz European Audio Visual Enterpreneurs.
Ka konfirmuar tanimë prezencën e vet eksperti për zhvillim skenari Jacques Achoti i cili do të zhvillojë workshopin e zhvillimit të skenarit me një numër të projekteve të përzgjedhura nga aplikimet në Best Pitch.
Do të jetë prezente edhe ekspertja e financimit dhe koproduksionit Linda Beath, poashtu nga EAVE, e cila do të ofrojë këshilla lidhur me mundësitë e financimit dhe bashkëprodhimit për projektet që do të përzgjidhen për garën Best Pitch.
Poashtu në aktivitetin Prishtina Rendezvous, një rast unik që PriFest e mundëson tanimë 4 vite për takimet e producentëve me kompani të shitjes në fazën e zhvillimit të projektit, kanë konfirmuar pjesëmarrjen një numër i kompanive të shitjes dhe distribuimit.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që bashkë me Vjosën dhe Fatosin kemi punuar qysh nga fillimi i vitit për këtë edicion dhe kemi arritur të konfirmojmë shumë kompani prestigjioze dhe emra të rëndësishëm për industrinë e filmit dhe kjo dmth shumë për të gjithë filmbërësit tanë të cilët kanë projekte në zhvillim ose projekte të kryera e duan ti distribuojnë apo shesin në treg ndërkombëtar. Flasim për kompani si Memento International, Level K, Loco Films, Film Republic, Fandango, etj. E di qe do të jetë një program i ngjeshur dhe intenziv këtë vit dhe i inkurajoj të gjithë të interesuarit që të vizitojnë webfaqen e PriFest si dhe rrjetet sociale dhe të aplikojnë në programet që ju interesojnë. Duke qenë personalisht pjesë e kësaj industrie dhe duke i ditur kufizimet dhe mundësitë tona për të qenë pjesë e këtyre programeve në Evropë, PriFest ofron një mundësi të jashtëzakonshme. Po flasim për kontakte të cilat në një festival si Cannes ose Berlin është pothuajse e pamundur ti takosh. E këtë mundësi e sjell PriFest”, u shpreh Drejtori i PriForum, Besnik Krapi, i cili ka filluar punën në PriFest këtë vit.
Aplikimi për Best Pitch do të jetë i hapur deri më 30 maj. Gjithë të interesuarit mund të aplikojnë në linkun e bashkangjitur http://prifest.org/best-pitch/
BEST PITCH është një cikël trajnimesh zhvillimore të projektit dhe ka karakter garues. Është një nga programet e PriFest dhe Prishtina Film Forum (PriForum) që nga vitet e para të festivalit, nëpërmjet së cilës producentët do të kenë mundësi të zhvillojnë projektet e tyre të cilat janë në fazën e parë të produksionit.
Projektet e përzgjedhura për Best Pitch, do të mund të përfitojnë mundësinë e pjesëmarrjes në trajnime me ekspert prestigjioz evropian, nga kompani dhe rrjete të njohura në Europë, në seancë për zhvillim të skenarit, apo seancë kokë më kokë me eksperten e financës dhe koproduksionit me një përvojë shumë vjeçare në këtë fushë. Gjithashtu, gjatë ditëve të festivalit pjesëmarrësit do të mund të takohen me distributorë dhe agjentët e shitjes së filmit nga kompanitë më të rëndësishme në Europë në Prishtina Rendezvous. E në fund, e vlerësuar nga një Juri Ndërkombëtare, do të ndahen edhe çmimet në Best Pitch.
Mundësi aplikimi në Best Pitch, kanë projektet filmike të metrazhit të gjatë që janë në fazë zhvillimi dhe financimi dhe që janë projekt i parë apo i dytë i një filmbërësi nga rajoni i Ballkanit.
Best Pitch është vetëm një nga disa aktivitet që në PriFest organizohen si pjesë e PriFORUM-it, e që është platformë rajonale e zhvillimit të industrisë së filmit.
Festivali PriFest mbahet në korrik në datat 16-22, kurse PriForum 18-21 korrik. Vizitoni faqen e PriFest www.prifest.org për të bërë akreditimin si dhe rrjetet sociale instagram, facebook dhe twitter (prifest) për tu informuar për të gjitha se çfarë pritet të sjell PriFest këtë vit. / KultPlus.com