Besim Sahatçiu laureohet me çmimin “Bekim Fehmiu”

27 Gusht, 2018 - 12:02 pm

Veprimtaria kinematografike e regjisorit Besim Sahatçiu konsiderohet themeltare e regjisurës kinematografike të Kosovës, që e avancoi atë në kinematografi konkurruese në rajon.

Ky ishte vlerësimi i jurisë së Çmimeve në Fushën e Kinematografisë që i ndan MKRS.

Çmimi për Veprimtari Jetësore “Bekim Fehmiu” post mortum iu nda Besim Sahatçiut dhe Çmimi Vjetor për Veprimtari Kinematografike, regjisore Blerta Zeqiri, shkruan KultPlus.

Kësisoj sot me një ceremoni në ambientet e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, u ndanë këto çmime ku të pranishëm ishin bashkëshortja e Besim Sahatçiut Besa Sahatçiu dhe regjisorja laureatë Blerta Zeqiri.

“Jam e gëzuar sepse më është dukur që Besimi është harruar por ja që erdhi koha dhe u nderua me këtë çmim. Besimi dhe Bekimi kanë qenë miq dhe kolegë të profesionit. Ju falënderoj shumë për këtë çmim”, tha bashkëshortja e Besim Sahatçiut Besa Sahatçiu.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi u zotua edhe njëherë që do të vazhdojë përkrahja për kinematografinë kosovare.

Anëtarët e jurisë profesionale ishin: Ardiana Pajaziti, Isa Qosaj, Fadil Hysaj,Fatos Berisha dhe Kimete Berisha./ KultPlus.com

Të ngjajshme