Bjeshkët e Nemura, lokacion i xhirimeve për regjisoren Katja Verheul

16 Mars, 2018 - 1:00 pm

Regjisorja Katja Verheul ka ardhur në Kosovë pasi që ajo është duke e realizuar një dokumentar të shkurtë ku janë të përfshira edhe skena të mrekullueshme të Bjeshkëve të Nemura. Kështu ekipi i saj është ndihmuar nga Balkan Natural Adventure, për lokalizimin e vendeve që kanë pamjet më të bukura dhe përfshirjen e tyre në dokumentar, shkruan KultPlus.

Balkan Natural Adventure ka mbështetur ekipin e xhirimeve me zgjedhjen e lokacioneve më të mira për filmin si dhe ka ndihmuar pajisjet për të shkuar deri në vendet e caktuara për të filmuar.
Drejtori i kompanisë Balkan Natural Adventure, Virtyt Gacaferri, është shprehur se ata janë një kompani e vogël, mirëpo përpiqen që të ndihmojnë çdo herë që kanë mundësi.

“Balkan Natural Adventure është i lumtur që po ndihmon realizmin e artit në Kosovë. Kjo do të ndihmojë vendin tonë në krijimin e një imazhi më të mirë, e po ashtu edhe për të rritur bashkëpunimin me regjisorë ndërkombëtar. Balkan Natural Adventure beson se filmimet do të ndihmojnë Kosovën që të japë imazhin të cilët qytetarët e saj e meritojnë”, është shprehur ai.

Regjisorja Katja Verheul e ka cilësuar si një eksperiencë shumë pozitive këtë bashkëpunim.
“Ata ishin një burim shumë i mirë i informacionit për të gjetur lokacionet e duhura. Edhe pse ky është një produksion shumë i vogël ata i morën filmimet me shumë seriozitet. Kur po filmonin, moti nuk ishte mjaftë i mirë, por udhëzuesi ynë na gjeti një vend të ri për filmimet dhe na dha pajisjet e duhura për të arritur në këtë vend të ri e të largët në mënyrë të sigurt. Unë do ua rekomandoja ekipeve të tjera të filmit që të punojnë me BNA”, është shprehur ajo.

Balkan Natural Adventure është një operator turistik i bazuar në Kosovë, i cili ofron turne të specializuara në turizëm aventuresk. Bazuar në Pejë, një qytet i vogël pranë Alpeve Dinarike në Kosovën perëndimore, kompania ofron ekskursione të personalizuara dhe të paracaktuara në Kosovë, si dhe në Shqipëri e Mal të Zi./KultPlus.com

Të ngjajshme