Blerim Gjoci ka përfunduar xhirimet e filmit në Los Angeles, Eric Roberts me rol kryesor

16 Janar, 2019 - 1:30 pm

Vetëm katër orë pasi ka lexuar skenarin, familja Roberts ka ftuar regjisorin kosovar Blerim Gjoci që të detajojnë më tej ecurinë mbi këtë film. I famshmi Eric Roberts, edhe pse ka kohë që nuk ka luajtur në filma të metrazhit të shkurtë, skenari i Gjocit e ka tunduar aq shumë, sa ka pranuar të jetë pjesë e filmit “The Fusion”. Blerim Gjoci, në një intervistë për KultPlus ka treguar edhe për premierën e madhe të këtij filmi, që pritet të prezantohet në një nga festivalet më të mëdha.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju keni nisur xhirimet e një filmi në SHBA, i çfarë zhanri është ky film dhe i çfarë metrazhi? 

Blerim Gjoci: Filmi që po xhirojmë është adoptim për film të shkurtër për tu shfaqur si shembull për filmin e gjatë që do të pasoj. Filmi i takon zhanrit të Fantastikës Shkencore, por i rrënjësuar në mendimin filozofik rreth jetës dhe prejardhjes njerëzore. Normalisht ky film do të shfaqet para investitoreve dhe festivaleve që preferojnë këtë zhanër.

KultPlus: Ku keni arritë me xhirime dhe në çfarë vendi jeni duke realizuar xhirimet? 

Blerim Gjoci: Sapo përfunduam xhirimet të cilat janë bërë në Los Angeles dhe rrethinë.

KultPlus: Në film,  me rol kryesor keni angazhuar aktorin e mirënjohur Eric Roberts, si erdhët deri te bashkëpunimi? 

Blerim Gjoci: Një rastësi e vërtetë. Ishim duke mbajtur audicionet me drejtoreshën e kastingut dhe në listen e kastingut pash goxha emra të njohur. E pyeta atë se si kishte arritur të sjellë këta emra në audicion. Ajo mu përgjigj se u kishte dërguar agjentëve skenarin dhe kishte marre shume komplimente për skenarin dhe se ishte skenari që kishte tërhequr këta emra. Këtë e thonin edhe aktorët që po vinin në audicion,  se ju kishte pëlqyer shumë skenari! Në ndërkohë ajo mori një telefonatë dhe më pastaj më tha se sapo kishte biseduar me gruan e Eric Roberts dhe se njihej me të. Unë menjëherë i kërkova ti dërgonte skenarin dhe ti ofronte rolin kryesor Eric – ut, pasi të gjithë po e pëlqenin shumë skenarin. Ajo hezitoi dhe më tha se Eric nuk kishte dëshirë të luante në filma të shkurtër, u kishte ndihmuar ca miqve më parë, por nuk e bënte me autor që nuk njeh. Unë insistova që ti dërgohej skenari Elizes-se,  dhe më në fund ajo i dergoi një tekst asaj dhe i kërkoi leje që ti dërgonte një skenar, sepse regjisori po insistonte. Morëm leje nga ajo dhe i dërguam skenarin. Katër orë më vonë marr thirrje nga Drejtoresha e kastingut, se Eliza Roberts donte të bisedonte me mua. Më thirri në telefon, me përgëzoi për skenarin, më tha se i kishte pëlqyer pa masë dhe më ftoi në shtëpinë e tyre për një takim. Kështu ndodhi.

KultPlus: Si është të bashkëpunosh me Eric? 

Blerim Gjoci: Oh mrekulli,  me të vërtetë. Përveç si aktor që të jep pikërisht atë që kërkon ti si regjisor, edhe si njeri e mban tërë ekipin të buzëqeshur me shakatë dhe me disponimin e tij, gjatë 12 orëve xhirim. Asnjëherë nuk e lëshon sheshin e xhirimeve siç bëjnë aktorët kur ka ndonjë pauzë të vogël,  derisa të ripozicionohet kamera dhe dritat, ai është aty dhe sa herë e ktheja koken e kisha pranë dhe më përgjigjej “Yes Boss”. Pastaj edhe kur dritat finalizohen nuk përtonte që të rrinte në pozitën e vet, shpesh gjysme ore derisa gjenim saktë ndriçimin me drejtorin e fotografisë. Eric ka qenë befasia më e këndshme gjatë këtij xhirimi. Asnjëherë të vetme nuk ka manifestuar kompleksin e yllit, përkundrazi.

KultPlus: Me çfarë producentë jeni duke bashkëpunuar dhe sa janë premtues për rrugëtimin e filmit? 

Blerim Gjoci: Kam tre producentë në këtë film, Angela Martini, Ian McCLellan dhe Sharon Park. Është ky një ekip shumë dinamik producentësh dhe me të vërtetë kemi kaluar tepër mirë. Besoj se angazhimi i tyre do të intensifikohet edhe më shumë,  pas postproduksionit, sepse tek e fundit filmi është i producentit në këtë rast, pasi producentët janë edhe investitoret.

KultPlus: Kur parashihet premiera e filmit? 

Blerim Gjoci: Premiera besojmë fuqishëm do të jetë në maj, në një nga festivalet e mëdha.

KultPlus: Dhe për fund, ju jeni në përgatitje të fillimit të xhirimeve të filmit në Kosovë, më saktë kur do të nisni?

Blerim Gjoci: Për filmin në Kosovë, ka një kohë që jemi pothuajse gati, por financiarisht ende nuk jemi kompletuar. Momentalisht jemi duke shikuar mundësinë e bashkëpunimit mes investitorëve publiko privat dhe eliminimit të pasojave të mundshme. E dini se filmi im ka të bëj me Prishtinën dhe deportimin masiv të popullatës nga kryeqyteti, dhe mbi historinë e të mbijetuarve të fshehur në qytet. Ky skenar kërkon më shumë investime,  sepse nuk është një dramë ku personazhet ulen dhe flasin, është përplot aksion dhe tundim. Kërkesat materiale për të janë më specifike dhe më të medha. Nga QKK kemi marrë një shumë që plotëson vetem 15% të shumës që kërkohet. Ky buxhet është shumë i pamjaftueshëm për çfarëdo nisme eventuale. Në këtë film do të luaj edhe një aktore shumë e famshme nga Amerika dhe jam duke shpresuar se me emrin e saj ndoshta do të sjellë edhe investime amerikane. Por,  me saktësisht 2019 do të jetë viti kur Sunny Hill do të marrë rrugëtimin përfundimtar./KultPlus.com

Të ngjajshme