2 Tetor, 2019 - 7:00 pm
BoJack Horseman (Will Arnett) dhe tregimi i tij e kanë arritur fundin.
Netflixi e ka prezantuar trailerin e ri për sezonin e gjashtë të ardhshëm, i cili do të jetë gjithashtu sezoni i fundit i këtij seriali të preferuar humoristiko-dramatik për yllin e serive sitcom i cili përpiqet të mësojë se si të jetë më i mirë në versionin antropomorfik, të ekzagjeruar të industrisë argëtuese të Los Angeles.
Gjëja e fundit që kemi parë nga BoJack ishte në fund të sezonit të pestë kur ai u regjistrua për rehabilitim nga varësia, duke shpresuar se do t’i jepte fund varësisë së tij, shkruan KOHA Ditore. “E dashura Diane, në qendrën për rehabilitim po më detyrojnë t’ia shkruaj një letër një shoku sepse shkrimi i letrave është terapeutik,” thotë ai në trailer, duke shtuar, “Kam dëgjuar se kjo ka bërë mrekulli për vrasësin Zodiak”.
Diku tjetër në botën e tij, Diane (Alison Brie) dhe Mr. Peanutbutter (Paul F. Tompkins) vazhdojnë të përpiqen ta gjejnë mënyrën e tyre pas shkurorëzimit, Princess Carolyn (Amy Sedaris) lufton me jetën e një nëne të vetme dhe të punësuar, ndërsa Todd (Aaron Paul) mëson lajme të papritura për babanë e tij.
“Kam kaluar vite të tëra si i mjerë sepse kam menduar se kjo është mënyra e vetme se si duhet të jem. Nuk dua të jem më ashtu”, shpjegon BoJack më tej në letër. Gjykuar nga traileri, në sezonin e gjashtë na pret një BoJack krejt i ri dhe i rilindur.
Sezoni i fundit do të vijë në dy pjesë: episodet e para priten më 25 tetor, ndërsa seriali do të përfundojë më 31 janar të vitit 2020. /KultPlus.com