16 Shtator, 2024 - 7:45 pm
Vjollca Duraku
Filmi ‘Bota jonë’ i regjisores dhe skenaristes Luana Bajrami ka përmbyllur edicionin e 16-të të Prishtina International Film Festival- Prifest.
Ky film i cili është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Francës trajton tematikën e rinisë në kuptimin eksplorimit të jetës dhe gjendjes së tyre në shoqëri. Ngjarja zhvillohet në vitin 2007, protagoniste janë dy shoqe- kushërira Zoen (Elsa Mala) dhe Volta (Albina Krasniqi) me përpjekjet dhe sfidat e tyre në një mjedis të kufizuar për të kërkuar lirinë personale.
Shkolla, përdoret si subjekti kryesor i filmit, duke e zbërthyer në elementet e tjera për rritje personale të dy vajzave të rebeluara nga fshati. Ikja e tyre pa lejen e familjes për të shkuar për studime në Prishtinë shënon pjesën e parë të filmit, dhe në fakt aktin më të guximshëm në porporcion me realitetin e kohës, ku ekzistenca e Kosovës si vend ishte ende e diskutueshme në tavolinat më të rëndësishme evropiane, dhe botërore.
Derisa ato shkelin në kampusin e Universitetit të Prishtinës, paraqitet realiteti i jetës në nivel të përgjithshëm me mungesa të profesorëve në ligjërata, studentë të mllefosur të cilët e shprehnin pezmin në mënyra të ndryshme, aktivistë të kohës që me bojëra kundërshtonin vendimet e UNMIK-ut dhe të ndërkombëtarëve.
Entuziazmi i tyre për realizimin e ëndrrave të tyre si dhe gjithë studentëve të tjerë sfidohej edhe nga gjendja e rënduar ekonomike dhe duke i detyruar që të zgjidhnin rrugë të ndryshme, nganjëherë edhe jo të shëndetshme për t’ia dalë në një situatë të tillë kaotike. Jeta në konvikte me shoqëri të rajoneve të ndryshme, si dhe krijimi i miqësive të reja në universitet, dhe dashurive po ashtu ishin pjesa më e bukur i atij realiteti të vështirë.
Zhvillimi i raportit të protagoisteve Volta dhe Zoen, është një aspekt tjetër i ngjarjeve i cili trajtohet në film. Raporti i tyre si kushërira vazhdon e thellohet më tej me jetesën në konvikt, duke iu bërë krah njëra- tjetrës, në një qytet të panjohur. Por, vendimi i Zoen për t’u bërë vallëtare në një klub nate, për të siguruar të ardhurat, e sfidon raportin e tyre, duke bërë që të distancohen me njëra- tjetrën, përkundër dashurisë që ato e ndienin thellë brenda vetes, për vetë faktin që ato ishin familjare.
Aktorët kryesorë të cilët morën pjesë në film janë: Albina Krasniqi, Elsa Mala, Don Shala, Aurora Ferati dhe Gani Rrahmani.
Krejt në fund të filmit në një prononcim për KultPlus, regjisorja Luana Bajrami, ka treguar idenë për realizimin e një projekti të tillë.
“Kam dashur ta vazhdojë trajtimin e tematikës së rinisë, jo si një vazhdimësi të Luaneshave, por si një vazhdimësi të eksplorimit të gjendjes së rinisë. Kam dashur që storja të zhvillohet në qytet, e jo në fshat si të Luaneshat. Ideja ka qenë ta vendosë storjen pak më konkretisht në kohë edhe në subjekt. Shkolla- është ideja kryesore në filmin “Bota Jonë”, ka thënë regjisorja.
Regjisorja Luana Bajrami, pas premierës së filmit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve është shpërblyer me çmimin “Kineasti i Vitit”, për të cilin tha se do t’i shërbejë si shtytje e madhe në realizimin e projekteve të tjera.
“Për mua është nderë. Realisht ndihem shumë krenare. Jam shumë falënderuese sidomos prej Fatosit që e kam mik dhe kolegë shumë të mirë. Është krenari sepse është shpërblim për punën në përgjithësi. Besoj që jam vetëm në fillim kështu që ky çmim është mbështetje që më shtyen për të shkuar larg e më lartë”, është shprehur regjisorja Bajrami.
Ndërsa drejtori i festivalit PriFest, Fatos Berisha, në mbyllje të festivalit ka thënë se është i kënaqur me mbarëvajtjen dhe se gjithçka kishte shkuar sipas planit, përveç motit me shi i cili e kishte shoqëruar festivalin për një javë.
“Përveç kohës me shi, të tjerat kanë shkuar ashtu siç e kemi planifikuar, pra të gjitha shfaqjet e filmave janë mbajtur, premierat, mysafirët të cilët i kemi ftuar kanë qenë me ne, anëtarët e jurisë, pjesa e forumit që është pjesa e industrisë filmike, workshopet si dhe pjesa muzikore e afterpartty. Ka qenë një javë shumë e ngjeshur me shumë aktivitete, po që të gjitha shkuan mirë përkundër kohës me shi që ka mbajtur që nga dita e parë e deri më sot. Por, kjo në fakt na dha njëfarë adrenaline gjithë stafit, i cili e dha maximumin që të arrijmë që ta kryejmë këtë punë që thotë populli me faqe të bardhë”, ka thënë drejtori i Prifest.
Regjisori Berisha, në këtë përmbyllje të edicionit të 16-të të PriFest, i ishte gëzuar pjesëmarrjes së aktorit të mirënjohur shqiptar Enver Petrovci, për të cilin është ndarë një çmim i veçantë “Çmimi për Kontribut Jetësor”.
“Ky çmim i nderon artistët eminentë vendorë. Profesor Petorvci patjetër se është një figurë eminente dhe natyrisht se e meriton këtë. Por, për ne të gjithë ish studentët e tij, gjithë komunitetin dhe të gjithë Kosovën është më me rëndësi ta shohim që është shëndosh e mirë, që erdhi deri këtu, e mori mundin që përkundër sëmundjes që të vijë jo vetëm për ta marrë çmimin por më shumë për të na takuar ne të gjithëve. Jemi të lumtur që e kemi sot dhe siç tha edhe ai vet nuk dorëzohem derisa të marr ndonjë çmim në Berlin apo në Kanë, kështu që edhe unë i besoj atij dhe i dëshiroj jetë shumë të gjatë”, ka përfunduar regjisori Berisha.
Edicioni i 16-të i Prishtina International Film Festival- Prifest është mbajtur nga 10 deri më 15 shtator, në Kino Armata./ KultPlus.com