4 Prill, 2018 - 9:00 am
Budapesti është bërë i pakapërcyeshëm në vendin e parë kur bëhet fjalë për xhirimin e filmave hollywoodianë jashtë vendit, pasi ka njërin prej sistemeve më konkurrentë në Evropë, i cili produksioneve të huaja u ofron kthim të investimeve deri në 25 për qind.
Edhe pse Bullgaria e Rumania janë dukshëm më të lira, Hungaria e mban primatin. Kësisoj, sipas shkrimit të SeeCult që e transmeton sot “Koha Ditore”, vetëm gjatë vitit 2016 ka inkasuar 271 milionë euro prej xhirimit të filmave, dhe kjo përbën 0.15 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (GDP-së) që shënon përqindjen më të lartë në Evropë.
Industria filmike prej rreth 100 kompanive punëson gati 4 mijë punëtorë pa i llogaritur edhe vendet e punës që lidhen me këtë në sektorin e turizmit. Vitin e kaluar në Hungari janë bërë 285 xhirime filmike, duke llogaritur edhe 64 produksione të huaja. Kjo i ka ndihmuar edhe lulëzimit të kinematografisë hungareze, e cila ka shënuar suksese edhe në skenën ndërkombëtare. Regjisori e skenaristi hungarez László Nemes, para dy vjetësh me “Son of Saul” mori çmimin “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Regjisorja Ildikó Enyedi vitin e kaluar me “On Body and Soul” mori “Ariun e Artë” në edicionin e 67-të të “Berlinales”.
Cila është arsyeja që Budapesti është para të gjithëve kur bëhet fjalë për xhirime filmash? Është njëri prej vendeve të para të ish-bllokut komunist që më 2004 miratoi një sistem stimulues taksash dhe subvencionesh i cili që prej atëherë është vetëm në rritje.
“Këtu xhirohet shumë për shkak të çmimeve tona dhe ekipeve të njohura botërore për asistencë, por edhe për shkak të lehtësirave financiare që funksionon mirë”, ka thënë Ildikó Kemény, bashkëproducentja hungareze e serialit “Genius: Picasso” të “National Geographic” ku luan edhe Antonio Banderas.
“Bullgaria e Rumania janë shumë më të lira, por aftësia e tyre për t’i përcjellë standardet e industrisë filmike nuk është në nivel”, ka thënë Kemény.
Falë kushteve dhe lehtësirave tatimore ka tërhequr producentë të filmave hollywoodianë me buxhet të lartë. Konkurrenti më i madh i Budapestit është Praga, por përparësi e kryeqytetit hungarez është edhe arkitektura që lehtësisht e “transformon” në Buenos Aires, Moskë, Berlin apo Londër, thotë producentja.
Aty janë edhe dy studio ku janë xhiruar shumë filma sikurse seriali i kohëve të fundit “Genius: Picasso”, “Hellboy” i Guillermo del Toros më 2004, “Inferno” i Ron Howardit me Tom Hanksin në rol kryesor, produksion i vitit 2016, “The Martian” i Ridley Scott me Matt Damon i vitit 2015 e shumë të tjerë.
“Falë fuqisë punëtore të lirë e me përvojë “Budapesti pas Londrës është bërë sheshxhirimi i dytë më i madh evropian”, ka thënë Daniel Kresmery nga produksioni filmik “Korda”./KultPlus.com