Caine paralajmëron tërheqjen nga arti i shtatë

22 Shtator, 2023 - 2:42 pm

Aktori legjendar Michael Caine ka të ngjarë të tërhiqet nga kinemaja, sipas indirewire.com.

Fituesi i Oscar-it me “Cider House Rules” tha për ”The Telegraph” se filmi i tij i ri i ardhshëm “The Great Escaper” mund të jetë i fundit.

“Unë jam 90 vjeç tani dhe as nuk mund të eci siç duhet e tjerë e tjerë”, tha Caine.

Aktori përdori një bastun gjatë filmimit të historisë së vërtetë të Bernard Jordan, një veteran britanik i Luftës së Dytë Botërore, i cili u arratis nga azili për të marrë pjesë në 70-vjetorin e përkujtimeve të D Day në Francë.

”Isha shumë i lumtur që e bëra. Thjesht më pëlqeu personazhi i Bernie. Mendova se ai ishte i jashtëzakonshëm dhe është shkruar bukur”, tha Caine.

”Më dhanë një bastun dhe unë munda të xhiroja skenat që kishin nevojë për të. Kam pasur jetën më të mirë të mundshme që mund të kisha menduar. Gruaja më e mirë e mundshme dhe familja më e mirë e mundshme”, thotë ai.

”Kam shkruar disa libra, të cilët u botuan dhe patën sukses, kështu që tani nuk jam aktor, jam shkrimtar. Është gjë e bukur sepse si aktor duhet të ngrihesh që në gjashtë e gjysmë dhe të shkosh në studio. Si shkrimtar, mund të fillosh të shkruash pa u ngritur nga shtrati”, thotë Caine.

”Kam kaluar mbi 50 vjet duke u ngritur që në gjashtë të mëngjesit për të bërë filma dhe nuk po hiqja dot qafe orën me zile!”, përfundon ylli i kinemasë./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme