Cameron, regjisori i parë rekorder me tre filma, shuma e të cilëve kalon 1.5 miliard dollarë

6 Janar, 2023 - 3:08 pm

Regjisori James Cameron tashmë veçohet për sukseset e tij në film, për arritje të disa rekordeve. Ai arriti edhe një rekord.

Cameron u bë regjisori i parë në historinë e filmit, me tre filma të cilët arritën shumën e fitimeve mbi 1.51 miliard dollarë për secilin në Box Office.

Fjala është për filmat: “Titanic”, “Avatar”, dhe filmi i ri “Avatar: The Way of Water”.

Filmi i tij i vitit 2009 “Avatar”, që vlerësohet filmi më fitimprurës në histori, ka fituar 2 miliard e 922 milion e 917 mijë e 914 dollarë amerikan.

Filmi i tretë më fitimprurës është “Titanic”, i cili në botë fitoi dy miliard e 187 milion e 535 mijë e 296 dollarë.

Më pas vjen  filmi i ri “Avatar: The Way of Water”, i cili deri më tani ka fituar një miliard e 516 milion e 558 mijë e 728 dollarë amerikan.

Të tre filmat në total në Box Office-n botëror fituan 6.6 miliard dollarë.

Sipas Unilad, arsyeja pse Cameron është kaq i suksesshëm me filma, është se është i guximshëm. Ai vërtetë jep maksimumin në punën e tij.

Cameron për të realizuar filmin “Titanic” në mënyrën që anija të duket sa më autentike, është zhytur në ujë 12 herë për të parë anijen origjinale.

Për filmin e parë “Avatar”, Cameron ka shfrytëzuar imazhe të nxjerra me kompjuter dhe metoda të tjera falë të cilave ka krijuar planetin e kaltër mahnitës të quajtur Pandora. Arsyeja pse filmi i ri “Avatar: The Way of Water” i mori kohë 13 vite për ta realizuar është se pjesa më e madhe e tij u realizua në ujë. Po ashtu, Cameron dhe ekipi i tij është dashur të kuptojnë rreth teknologjisë që është shfrytëzuar për të kapur imazhet mahnitëse të tij.

Pra, puna e regjisorit Cameron po shpërblehet. Tashmë është bërë e ditur se do të lansohen edhe tre filma të tjerë Avatar, njëri në vitin 2024, tjetri në vitin 2026 dhe tjetri në 2028-tën./21Media /KultPlus.com

Të ngjajshme