17 Korrik, 2021 - 10:21 pm
Me përfundimin e edicionit të 74-të të festivalit së filmit në Kanë, ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në rrjetin social Facebook, përcjellë KultPlus.
Çeku është shprehur se festivali në Kanë ishte një përjetim i jashtëzakonshëm dhe përfaqësim i dinjitetshëm për shtetin e Kosovës.
“Nuk e fituam as “Palmën e artë” as “Kamerën e artë”, por jemi krenarë dhe të lumtur me shembullin e dhënë”, ka thënë ai.
KultPlus ju sjell statusin e tij të plotë:
Përjetim i jashtëzakonshem, përfaqësim i dinjitetshëm. Kosova për herë të parë në Festivalin e Kanës, duke iu falënderuar filmbërësve të talentuar. Me filmin “Pa vend” të Samir Karahodës, për herë të parë ishim në kategorinë kryesore të filmave të shkurtë. Ndërsa filmi “Luaneshat e kodrës” i Luana Bajramit ishte pjesë e programit “Directors’ Fortnight”.
Sonte përfundoi edicioni i 74-të i Festivalit të Kanës. Nuk e fituam as “Palmën e artë” as “Kamerën e artë”, por jemi krenarë dhe të lumtur me shembullin e dhënë. Artistët tanë të filmit po e mbajnë Kosovën në majen e konkurrencës botërore. Për t’i vazhduar sukseset botërore duhet vëmendje shtesë filmit. Përkushtimin tonë institucional dhe rritjen e përkrahjes ndaj filmit e konfirmoi edhe Kryeministri Kurti nga Kana. / KultPlus.com