11 Shkurt, 2021 - 1:28 pm
Ceremonia e ‘Oscars’ këtë vit do të duket më ndryshe.
Shfaqja e çmimeve, e cila tradicionalisht është mbajtur në Teatrin Dolby të Hollywod-it që nga viti 2001, do të transmetohet nga vende të ndryshme për shkak të pandemisë së coronavirusit.
Kjo është konfirmuar të mërkurën nga një zëdhënës i Akademisë.
Njoftimi vjen teksa shumë qytete që janë qendra të rëndësishme të filmit, duke përfshirë Los Angeles, New York dhe Londrën, mbeten nën kufizime të rrepta të COVID-19.
Planet specifike ende nuk janë zbuluar për shfaqjen që do të transmetohet më 25 prill, por Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit është e vendosur ‘të paraqesë një Oscar si askush tjetër, duke i dhënë përparësi shëndetit dhe sigurisë publike të të gjithë atyre që do të marrin pjesë’, tha zëdhënësi.
‘Golden Globes’ po ashtu paralajmëroi se do transmetohet nga vende të ndryshme për të shmangur përhapjen e virusit.
Çmimet ‘Emmy’, të cilat u mbajtën në shtator, ishin kryesisht virtuale, me përjashtim të disa personave të famshëm që u shfaqën në skenë (pasi u testuan) për të prezantuar.
Si shumë nga ceremonitë e tjera, edhe ‘Oscars’ është shtyrë për dy muaj për shkak të pandemisë.
Shfaqja e vitit të kaluar ndërkohë kishte audiencën më të vogël ndonjëherë prej 23.6 milionë shikuesve, me 20% më pak se një vit më parë. / KultPlus.com