12 Maj, 2020 - 1:14 pm
Edicioni i vitit 2021 i ceremonisë prestigjioze të ndarjes së shpërblimeve kinematografike, “Oscar”, mund të shtyhet për disa muaj.
Ngjarja e përvitshme e cila organizohet nga Akademia e Arteve dhe Shkencës, zakonisht mbahet në fillim të vitit por për shkak të pandemisë së koronavirusit, është rekomanduar që ceremonia të mbahet në fund të majit ose në qershor të vitit 2021, transmeton Koha.
Vendimi për t’ia ndryshuar datën e mbajtjes për herë të parë në historinë 93-vjeçare të ceremonisë, vjen pas ndikimit të madh që kriza e globale shëndetësore e ka pasur në programin e lansimit të filmave gjatë vitit 2020, kjo pasi shumica e projekteve kinematografike janë detyruar t’i shtyjnë datat e lansimit si pasojë e mbylljes së kinemave anembanë botës.
Kështu, Akademia e Arteve dhe Shkencës po iu jep më shumë kohë studiove filmike që t’i lansojnë projektet e tyre në mënyrë që t’i plotësojnë rregullat zyrtare të nominimit për “Oscar”. Kjo do të thotë se filmat e vonuar e kanë ende shansin të jenë pjesë e ceremonisë së vitit 2021.
Para një muaji, organizatorët e ceremonisë “Oscars” i bënë disa ndryshime të përkohshme për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, ku për herë të parë në histori e saj, Akademia do ta lejojë nominimin e filmave që nuk janë shfaqur në kinema por në platforma digjitale si: Netflix, Hulu, HBO, Amazon Prime etj. Megjithatë, ata e potencuan faktin se ky ndryshim është i përkohshëm dhe vlen vetëm për projektet e publikuara gjatë vitit 2020.
Ky nuk ishte ndryshimi i vetëm i bërë për edicionin e ardhshëm të kësaj ngjarjeje. Edhe kategoritë e miksimit të zërit dhe montazhit të zërit do të shkrihen në një kategori të quajtur “Arritja më e madhe në zë”, dhe që e vlerëson punën në grup. Gjithashtu, tani që të gjithë anëtarët e Akademisë do të kenë të drejtë të votojnë në raundin e parë të filmit ndërkombëtar, kategori që më parë njihej si “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”. / KultPlus.com