15 Korrik, 2019 - 1:30 pm
Jeta Zymberi
Ata janë një çift i jashtëzakonshëm jo vetëm në jetën e përditshme por edhe në profesion. Si të tillë ata tashmë kanë fituar rolin e dytë ku luajnë përkrah njëri-tjetrit. Eri dhe Orli Shuka, janë aktorë shqiptarë të cilët prej kohësh jetojnë në Londër, atje ku tashmë po e ndërtojnë një karrierë mbi baza të forta, shkruan KultPlus.
Eri Shuka në vendlindjen e saj njihet për rolin në filmin “Darka” të Suela Bakos. Por ishte roli i dytë, ai në filmin “Hyena” nga Gerard Jonson i cili i bëri “bashkë” Erin dhe Orlin. Ky rol si duket ishte një mundësi shumë e mirë për të dy, sepse nuk vonoi dhe ata pranuan ftesa të reja, por kësaj radhe për një projekt botëror.
Në një intervistë për KultPlus, Eri Shuka na rrëfen për rrugëtimin e saj si aktore në Shqipëri dhe tashmë në Londër dhe gjithë këtë eksperiencë bashkë me bashkëshortin.
“Filmi im i parë është “Darka” nga Suela Bako. Shumë e lumtur për rolin pasi punova me miq dhe profesionistë shumë të shtrenjtë për mua. Projekti i dytë ishte si pjesë e produksionit, Dilect Coach, në filmin “Hyena” nga Gerard Jonson. Një eksperiencë fantastike, më pëlqen shumë Gerard. Kam kërcyer me vajzën time të vogël vallen e Tropojës dhe ishte një nga skenat e tij të preferuara”, ka treguar aktorja fillimisht për KultPlus.
Por, ishte viti 2016 kur ajo bashkë me Orlin morën një mesazh në email nga Pulse, ku ju është kërkuar ndihmë për projektin “Gangs of London” dhe pas këtij mesazhi ata zhvilluan takimin e parë me regjisorët Gareth Evans dhe Matt Flannery. Ky takim rezultoi me një kontratë përmes secilës Eri dhe Orli Shuka u bënë pjesë e serialit. Xhirimet e episodit të parë filluan në janar të këtij viti, duke e mbyllur sezonin e parë në korrik më 10 episode.
“Gangs of London” është një seri e ardhshme britaniko-amerikane e aksionit. Pas përfundimit të serialit më të famshëm në botë “Game of Thrones” është lëshuar teaseri i “Gangs of London”, i cili pritet të jetë një prej serialeve më të shikuara në të ardhmen e afërt. Seria u krijua nga Gareth Evans dhe Matt Flannery, me Evansin në shumicën e episodeve përfshinë skena komplekse koreografike të luftës, për të cilat edhe është bërë i njohur.
Në këtë serial, Eri luan Mirlinden e cila është e martuar me Luan (Orli Shuka). Një çift që i ka mbijetuar luftës dhe lëvizin në Londër menjëherë pas luftës. Ata kanë dy fëmijë, dy vajza. Xavier e thërret Mirlinden, lady Macbeth. Ajo është grua e fortë dhe që i dëgjohet fjala. Pika e dobët e Luan dhe nxitësja e veprimeve të tij në të njëjtën kohë.
“Është shumë fantastike të jesh në një projekt të tillë dhe pjesë e një kaste si kjo, eksperiencë e re njëkohësisht. E kam shijuar shumë sezonin e parë dhe të shohim çfarë do të ndodhë tutje”.
Por, se sa janë ndihmues për njëri tjetrin në xhirime, Eri shprehet me të qeshura se kjo është më mirë se martesa.
“Kjo është pjesa më e bukur. Kur na ofrojnë ndonjë projekt bashkë, pyetja e parë që na bëjnë: Jeni rehat të punoni bashkë? Unë dhe Orli e shijojmë shumë, është tamam festë. Punojmë shumë mirë bashkë. Orli është pak më serioz se unë në punë. Unë e marr më lehtë po me shumë qejf. Orli është pak kritik dhe ndonjëherë më thotë Eri merre seriozisht”, vazhdon të tregoj ajo rreth bashkëpunimit të tyre në projekte.
Por, pjesë e këtij seriali është bërë edhe aktori kosovar Florist Bajgora. Eri ka treguar se me Floristin nuk kanë ndonjë skenë bashkë, por që ja kanë kaluar shumë mirë dhe kanë marrë kritika të mira nga produksioni.
Ajo çka vlen të ceket është fakti se në këtë serial pjesë e kastës së aktorëve do të jenë edhe aktorë të ‘Peaky Blinders’ dhe prej serialit ‘Game of Thrones’ të cilët për momentin konsiderohen aktorët më të famshëm botërorë e përkrah të cilëve tashmë do të ketë rastin të luaj edhe aktorët shqiptarë.
E pyetur nga KultPlus se si është të punosh me produksionet e huaja, Eri përgjigjet thjesht dhe bukur: “Në fakt është më relaksim të punosh me produksionet e huaja, po aq dashuri dhe pasion vështirë të gjesh. Në gjithashtu kemi shumë energji, pasion dhe dashuri dhe kjo besoj është arsyeja pse na duan”.
Seria “Gangs of London” është një bashkëprodhim i HBO / Sky me Pulse Films dhe Sister Pictures dhe është (për një marrëveshje prej 250 milionë dollarësh) të vendosur për Cinemax dhe Sky Atlantic të HBO-së, që u raportua së pari në nëntor 2017. Në një serial ëndërrojnë të luajnë shumë aktorë, por Eri thotë se nuk është prej personave që “fluturon”, ajo pret edhe më shumë nga vetja.
“Nuk jam person që fluturoj, por padyshim uroj që karakteri im të vazhdoj dhe zhvillohet më tej por dëshira ime është edhe një projekt në Kosovë dhe kam arsye: Në 2018 radio drama ‘On Kosovo’ me kolonë zanore të JP Harvey dhe një kast aktorësh të përzier, anglez – shqiptar ku fitoi iadio drama më e mirë e vitit në BBC4. Regjisorja Nadia Molinary deshi ta vinte në teatër për 20 vjetorin e Pavarësisë dhe bën një workshop, unë u dashurova pas kësaj drame që është e shkruar aq bukur, Nuk u mundësua projekti dhe unë akoma e kam mendjen aty”, thotë Eri duke shpresuar t’i rikthehen këtij projekti.
Se si do të zhvillohen karakteret e tyre në këtë serial dhe sa do të arrijnë të marrin vëmendjen e publikut çifti shqiptar, mbetet të shihet ën vazhdimin e serialit. / KultPlus.com