22 Prill, 2018 - 8:08 pm
Projekti filmik “Cirku Fluturues” – bashkëprodhim mes Kosovës e Shqipërisë, me regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berishën, ka mbyllur kësisoj javën e tretë të xhirimeve pasi ka kaluar nëpër Prishtinë, Ulqin dhe Shkodër.
Java e fundit do të jetë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
“Jam jashtëzakonisht e kënaqur me gjithë çfarë kemi arritur të bëjmë deri tani. Xhirimet po shkojnë shumë mirë, jemi në kohë me të gjitha planifikimet e bëra sa i përket sheshit të xhirimit, çdo ditë ka qenë një përjetim i vecantë dhe mendoj se jemi duke bërë me të vërtetë një film të bukur. Si ekip do të thoja pak a shumë ballkanik pasi kemi aktorë dhe staf teknik nga disa vende të Ballkanit, po funksionojmë shumë mirë” tregon Vjosa Berisha për KultPlus.
“Cirku Fluturues” flet për kohën para luftës në Kosovë dhe mbyllet në fillim të luftës. I takon zhanrit komedi e zezë, duke na treguar edhe kohën e vështirë që ka kaluar Kosova në vitet 90 pak para se të nisë lufta. Projekti duket se po merr formën e tij të duhur me një kast aktorësh që po japin maksimumin e tyre.
“Projekti ka kosto e ngarkesa të mëdha dhe duke qenë se lëvizë nga një shtet në tjetrin, organizimi i produksionit duhet të jetë preciz. Si udhëheqëse e produksionit deri tani jam e kënaqur me punën në çdo aspekt. Sot jemi në javën e fundit, në Tiranë, dhe kësisoj do të përjetojmë rrugëtimin e protagonistëve të filmit mu ashtu siç e kanë përjetuar ata në vitet e 90-ta” vazhdon Vjosa.
Aktori Armend Smajli tregon se me xhirimet e filmit po bëhet një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Sipas tij, po bëhet një mishërim i veçantë me skenarin dhe me punën artistike dhe kjo është bukuria e tërë procesit filmik.
Aktori Tristan Halilaj, në anën tjetër, thotë se për të ka qenë atraktive njohja me një periudhë kohore pjesë e së cilës nuk ka qenë vetë ai.
“Më ka bërë përshtypje sa universale e origjinale është kjo periudhë. Ndihem shumë mirë që jam pjesë e tregimit të këtij rrëfimi” tregon Halilaj.
“Një fluturim i mirë deri tani, po shpresoj dhe besoj që jemi duke bërë një film shumë të mirë, me shumë përkushtim e mbi të gjitha me shumë dashuri” thotë aktori Afrim Muçaj.
16 ditë të xhirimeve kanë qenë të lodhshme për ekipin por morali i punës është i madh dhe dëshira që në fund një film i bukur dhe i arrirë të dal në pah, është më e madhe se gjithçka.
Vetë Fatos Berisha thotë se xhirimet e filmit janë përjetim i mirë.
“Na prej një javë plot punë dhe angazhime në Tiranë, por kemi arritur fuqishëm deri këtu dhe jam i lumtur që kemi arritur deri këtu” tregon Berisha për KultPlus. / KultPlus.com