20 Tetor, 2020 - 7:26 pm
Suada Qorraj
Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka katër personazhet e filmit shohin duke u hequr posterin e shfaqjes së tyre duke u larguar nga muret e teatrit. Heqja e posterit shënoi edhe fundin e ‘Cirkut Fluturues’, komedisë së tyre sureale që ishte inspiruar nga ‘Monty Python’, shkruan KultPlus.
Por, rrugëtimi i tyre nuk përfundon këtu, në fakt mbyllja e teatrit shënoi një kthesë të re. Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka marrin ftesë që të performojnë në një festival teatral në Shqipëri. Ndonëse në fillim ata hezituan që të shkojnë, Fatmiri dëgjon në lajme së njëri nga aktorët e ‘Monty Python’, Micheal Palin do të xhiroj festivalin që do të mbahet në Shqipëri.
Ndonëse rruga që i priste ishte e gjatë, madje e mbushur përplot me rreziqe, prania e Micheal Palin në Shqipëri, mundësia për ta takuar idhullin e tyre, i bënë ata bashkë në udhëtimin e tyre ilegal, në mes Malit të Zi e Shqipërisë.
Në një intervistë për KultPlus regjisori i filmit ‘Cirku Fluturues, ka thënë se ndjehet i lumtur për faktin që filmi i tij do shfaqet për publikun online në edicionin e sivjetëm të PriFest, pas anulimit të shfaqjes së këtij filmi në kinematë e vendit si pasojë e pandemisë.
“Jemi të lumtur që edhe pse online, do ta shfaqim filmin për publikun e Kosovës, sidomos për faktin që shkaku i pandemisë është dashur ta anulojmë shfaqjen në kinema në mars të këtij viti shkaku i pandemisë”, ka deklaruar Berisha.
Xhirimet e ‘Cirku Fluturues’, njëlloj si personazhet e filmit, kishin udhëtuar në tre shtete të ndryshme, Kosovë, Mal të Zi e Shqipëri. Secili minutë i këtij filmi, rrëfen përvojën personale të regjisorit, punën e tij 9 vjeçare që nga drafti i parë e deri tek realizimi i këtij filmi.
Që nga takimi me oficerin e policisë, kënga në qelinë e burgut, e rrugëtimi i frikshëm deri në Tiranë përkojnë aventurën e guximshme të Kushtrimit, Donatit, Fatmirit dhe Lekës, personazheve kyqe të ‘Cirkut Fluturues’.
Ashtu sikurse rrugëtimi i katër personazheve të ‘Cirkut Fluturues’, edhe xhirimi i këtij filmi kishte vështirësitë e veta, ato për të cilat Berisha i quan të zakonshme.
“Vështirësitë ishin të zakonshme edhe shkaku i buxheti të vogël, por falë organizimit të mirë nga producientja arritëm ta përftojmë me kohë”, ka përfunduar kështu intervistën regjisori Fatos Berisha.
Rrugëtimi 22 ditësh, i filmit që bazohet në një ngjarje të vërtetë përfundon ma shfaqjen e ‘’ Cirkut Fluturues’, në Tiranën e shumëpërfolur, me ëndrrën për të takuar Palin, në skenën e teatrit dhe vonesën e Lekës, improvizimin që qoi në këmbë të gjithë të pranishmit.’Cirku Fluturues’ shfaqja më e mirë e teatrit të Tiranës, djemve nga Kosova, u bë shfaqja që rrëmbeu ‘Aleksandër Moisiun’.
Ndonëse erdhën bashkë në Tiranë, Kosovës iu kthye vetëm Kushtrimi, djali, burri e babai që pas kishte lënë një familje, e një atdhe për të mbrojtur. Një rrëfim rrënqethës, që të lë pa frymë e të bënë të qash e të qeshësh, ‘Criku Fluturues’, përkujtimi i aktores Adriana Abdullahu, talentit që lufta ja mori jetën./ KultPlus.com