26 Janar, 2020 - 9:05 am
Filmi i gjatë artistik, “Cirku Fluturues” me skenar dhe regji të Fatos Berishës mbrëmë fitoi çmim të rëndësishëm në festivalin ndërkombëtar të filmit në Santa Barbara të Kalifornisë (SHBA).
”Cirku Fluturues” u shpall fitues i çmimt “Filmi më i mirë artistik ndërkombëtar”, shkruan KultPlus.
Ky film artistik është komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të 90-ve e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërise për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. Filmi “Cirku Fluturues” është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production).
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore. / KultPlus.com