26 Qershor, 2023 - 6:00 pm
Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë ka ulur siparin me ndarjen e çmimeve filmave që spikatën. Gjatë 5 ditëve, ky festival i solli më shumë gjallëri qytetit të Pogradecit, i cili tashmë ka një frekuentim më të gjerë nga vendas por edhe turistë të huaj. Ky ishte edicioni i 13-të për Balkan Film & Food Festival.
Çmimi “Best Movie Award” shkoi për filmin “Dignity”i regjisorit grek Dimistris Katsimiris. Marko Santic nga Kroacia fitoi “Best Balkan Spirit Award” me filmin “Marko”, ndërsa regjisori shqiptar Edmond Mandro ka rrëmbyer çmimin “Best Short Movie Award” me filmin e tij “Kllouni”.
Në natën e ndarjes së cmimeve, një moment special iu kushtua regjizorit të nderuar Kristaq Mitro dhe pasurisë kinematografike që ai la pas.
Edicioni i vitit 2023 solli pranë qytetarëve e vizitorëve të Pogradecit rreth 80 filma. Në program kishte filma të shkurtër, filma animacion, dokumentarë e filma të gjatë nga 11 vende të Ballkanit.
Veprat filmike përfaqësuan Turqinë, Rumaninë, Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Bullgarinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë, Greqinë dhe Malin e Zi./atsh/KultPlus.com