7 Gusht, 2017 - 10:59 am
Sarandë Selimi
Mik dhe bashkëpunëtor i gjatë i DokuFest-it, regjisor i shpërblyer Daniel Mulloy mbajti dje në ditën e tretë të edicionit të 16-të të DokuFest, një masterklasë për temat me të cilat është i lidhur si dhe për procesin e filmbërjes.
Duke menduar se interesimi do të ishte jo i madh, e duke e parë krejt të kundërtën në sallën ku po mbahej masterklasa, fituesi i BAFTA-s me filmin “Home”, filloi rrëfimin e tij.
Ka shumë njerëz që dinë gjëra rreth tij. Ndoshta më shumë nga ana profesionale. Por mesditën e së dielës, në Kino Klubi, Daniel Mulloy shpalosi edhe shumë gjëra të tjera personale. Danieli në adoleshencë është marrë me sport. Prindërit e tij kanë qenë filmbërës e kjo pak a shumë e ka shtyrë të merret me kinematografi. Ai ka kaluar shumë kohë i vetëm, duke ecur e duke vëzhguar njerëzit.
“E kam menduar se këtë takim ta zhvillojmë më shumë si një bisedë. Fillimisht kam menduar të flas rreth, të themi procesit se si jam bërë një filmbërës. Mua më pëlqejnë tej mase projektet krijuese me gjëra me të cilat jam i lidhur dhe më pëlqen shumë të punoj me njerëz që kanë pasion për punën, njerëz që kur nisin të bëjnë diçka, të punojnë diçka, e fusin edhe veten e tyre në atë punë, më pëlqen bashkëpunimi, më pëlqejnë njerëzit të cilët bashkëpunojnë me të tjerët” tregon Mulloy.
“Prindërit e mi kanë qenë regjisorë, kështu që një mënyrë ose në tjetrën do të përfshihesha në film. Kur kam qenë fëmijë dhe adoleshent jam marr me atletikë dhe sport, të cilat i kam dashur shumë, kam bërë disa operacione në gju në kohën kur jam marr me sport e më pas hoqa dorë nga sporti. Si i ri nuk kam qenë edhe shumë i shoqërueshëm, kam kaluar shumë kohë vetëm, duke menduar dhe duke vëzhguar çdo lëvizje të njerëzve nga ecjet në rrugë deri të mënyra se si po hynë në tualet”, theksoi Mulloy i cili tha se observimi dhe të qenit i vetëm e ka ndihmuar shumë më pas në film, fotografi dhe në zhvillimin e tij si artist.
Në këtë masterklasë që erdhi si një rrëfim për inspirimin e regjisorëve të rinj dhe jo vetëm, Daniel Mulloy tregoi se si ka realizuar filmin e parë.
“Shkoja në klube shpesh. Në toaletet e të gjitha klubeve vëreja se punonin gra algjeriane. Më pengoi se si ato trajtoheshin si objekte e jo si njerëz. Rrija në toalete edhe i shikoja. Më pas vendosa që të incizoj ato gra që bënin punën e tyre. Kështu realizova një film. Ndihesha jo rehat me të. Më pas motra ime e dërgoi atë nëpër festivale në emrin tim. Fitoi çmim shumë të madh, më duket 50 mijë euro për ta bërë një film tjetër dhe më pas fitoi çmimin ‘Bafta’ në Wales. Kështu vazhdova të realizoja filma të tjerë”, ka thënë Mulloy.
Pas kësaj Daniel Mulloy, foli edhe për bashkëpunimin me Kosovën, më saktësisht me DokuFest-in. Ai tha se ka qenë e mrekullueshme të realizonte film në Kosovë, duke bashkëpunuar me artistë të Kosovës dhe duke sjellë një histori universale dhe një problematikë që dikur e kanë kaluar edhe kosovarët.
“Para dy vitesh kur po bashkëpunoja me këtë festival dhe kur po bëheshim gati për temën e migrimit, posterët dhe gjithçka tjetër, ka qenë shumë e bukur. Ky film ka qenë dëshmi se si në mënyrë natyrale kanë rrjedhur gjërat. Ne kemi dashur të shtyjmë edhe më shumë përpara dhe të tregojmë se çka është ‘DokuFesti’ në gjendje që të bëjë”, u shpreh ai.
Daniel Mulloy, një regjisor plot pasion, thotë se të tillë njerëz ka gjetur edhe në Kosovë.
“Tema e migrimit dhe refugjatëve ka qenë e lehtë të bëhet këtu sepse secili ka qenë i prekur direkt. Gjithmonë kam bërë gjëra të ndryshme krahas filmit. Tani i shoh si bonus, plus fakti se kam disa vite që vi në Kosovë kam krijuar opinion tjetër për hasje në kinematografi, për kulturë. Kam mësuar shumë këtu, po ashtu nga partnerja ime dhe familja. Vetëm fakti se jam këtu dhe sa ndryshe është nga Britania e Madhe, kam tjetër perspektivë”, tha ndër të tjera regjisori i filmit ‘Home’, Daniel Mulloy.
Kjo ishte ajo që Daniel Mulloy ndau dje me audiencën që ishin në një numër goxha të madh në DokuFest.
Ai si përfundim u shpreh shumë i lumtur edhe njëherë që ndodhet në Kosovë dhe që DokuFest dita ditës po rritet e po formohet edhe më shumë si festival i respektuar në rajon dhe jo vetëm. / KultPlus.com