8 Gusht, 2017 - 11:27 am
Sarandë Selimi
Gjithçka nisi me dashurinë e Edonës dhe Arbërit. Kjo ishte njëra anë ndërsa në tjetrën vjen Genci. Tre personazhe të ndryshme që sjellin përmes 90 minutave “Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’” apo “To Want, To Need, To Love”, filmin dokumentar të regjisorit të ri Ilir Hasanaj, shkruan KultPlus.
Arbër Salihu, Edona Vatoci dhe Genc Hasanaj janë personazhet që shpalosin jetën e tyre private në këtë film, i cili përveç që mbushi karriget në Kino Bahçe, pat edhe shumë njerëz që qëndruan në këmbë.
Filmi sjellë në një formë shumë interesante jetën e këtyre personazheve të cilët krejt çka duan dhe çka paraqesin para audiencës është dashuri. “Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’”, i sjellë Arbërin, Edonën dhe Gencin, përmes projektit të mbajtur nga Baushtellë në vitin 2015-të me pyetjen ‘What do u believe in?’. Të tre personazhet ishin të involvuar në projekt në një formë ose tjetrën, projekt me të cilin kanë udhëtuar edhe në Serbi dhe Zvicër.
Arbër Salihu dhe Edona Vatoci, sjellin jetën e tyre atëherë kur ata ishin ndarë dhe nuk vazhdonin më si çift, gjersa vazhdonte komunikimi pasi që ishin së bashku në projekt. Ndërsa Genc Hasanaj, paraqet shumë të rinj sot të cilët nuk merren me asgjë dhe qëndrojnë shumë të mbyllur, edhe Genci, bashkohet në projekt të Baushtellës, aty ku tregohen rrëfimet e tre të rinjve.
Pas tyre gjithmonë ka shkuar kamera e Ilir Hasanajt, i cili mbrëmjen e së hënës, atëherë edhe kur e dha premierën botërore e filmit të tij në Festivalin e Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest, u shpreh shumë i lumtur dhe falënderues për krejt ata që e kanë mbështetur.
“Gjithçka ka nis me këtë projekt artistik. Kur i kam njohur në vitin 2014-të Arbërin dhe Edonën jam fascionur se më është dukur një çift si një ‘Tarantion Film’, tepër të çmendur dhe shumë dashin mes tyre. Atë që e kam parë doja ta sjellja përmes filmit, sepse njeriu kur e bënë një film, gjithmonë bënë diçka që i mungon të vetja. Kështu doja ta kapja atë dashni të Arbrit dhe Edonës doja ta tregoja, dhe kjo ka qenë vetëm gjysma, ndërsa në anën tjetër ka qenë vëllai im Genci, që e shihja në shtëpi dhe me vinte keq. Ai rrinte shumë brenda dhe doja që ta largoj nga aty, kështu doja që këto personazhe t’i lidhja bashkë”, tregoi para audiencës që e duartrokitën fort filmin, regjisori Ilir Hasanaj, i cili poashtu tha se xhirimet e filmit kanë nisur në dhjetor të vitit 2014-të por ato më intensivet kanë qenë në verën e 2015-ës .
Ndërkohë pasi përfundoi filmi dhe një pjesë e ekipës doli para publikut, në Lumbardh, mbërriti edhe Edona Vatoci e cila ju drejtua të pranishmëve.
“Na ka incizuar Iliri në një periudhë të jetës që nuk kemi ditur shumë dhe nuk kemi pas përgjigje për ti dhënë në shumë pyetje që na ka bërë. Por një gjë e kam ditur se kam dashtë, dhe gjatë asaj kohe e kam mësuar se e kam kthyer pak dashurinë nga vetja”, tha Edona Vatoci.
“Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’”, erdhi si film dokumentar garues në kuadër të Ballkan Dox, në festivalin DokuFest, i cili sot nisë ditën e pestë të rrugëtimit të 16-të të tij me shumë filma, panele, muzikë, workshope e kështu me radhë./ KultPlus.com