24 Gusht, 2017 - 1:10 pm
Prej datës 27 gusht deri në 2 shtator në Sarandë shtrohet tapeti i kuq i kinemasë; prej katër vitesh në qiell të hapur mbahen ditët e festivalit ndërkombëtar të Filmit “Dea Open Air”, një kalendar i pasur për nga tematika dhe vendet pjesëmarrëse që do të ballafaqojë kinemanë bashkëkohore dhe individualitetin në filma autor
Në datat 27 Gusht deri më 2 Shtator 2017, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dea Open Air do të zhvillojë edicionin e tij të katërt. Festivali vijon traditën e të qenit vizitor në stolinë e rivierës shqiptare, Sarandë. Shfaqjet Open Air do të organizohen në Kinema Limani dhe Kinema Bougainville. Në Kinema Limani është planifikuar të organizohet Ceremonia zyrtare e Hapjes së Edicionit IV të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air Sarandë – 2017, si edhe do të ofrohen dy programet kryesore të festivalit: programi i Filmit me Metrazh të Gjatë dhe programi i Filmit të Shkurtër. Në Kinema Bougainville është menduar të organizohet për herë të parë programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit si edhe Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit IV të Dea Open Air Festival Sarandë – 2017.
Numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i sivjetmë konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Të gjithë aplikuesit dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit. Ata vijnë jo vetëm nga vendet europiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale. Filmat e paraqitur dhe autorët pjesëmarrës në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit Mars.
Në garë për Çmimet DEA komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë menduar të përfshijnë sivjet 6 filma të gjatë për Seksionin e filmit me metrazh të plotë ose konkurrimin kryesor, si dhe 35 filma në Seksionin e filmit të shkurtër. Vetë filmi i shkurtër ofrohet këtë vit në dy nënkategori: konkurrim ndërkombëtar dhe konkurrim studentor. Kategorizimi reflekton natyrën e krijimtarisë dhe profilin e autorëve të tyre. Programi special “Miqtë e Kinemasë” do të ofrojë edhe 6 filma të tjerë me metrazh të plotë, ku përfshihen tituj të përzgjedhur filmash, të prodhuar nga autorë të huaj dhe vendës. Për drejtorin e DEA OPEN AIR, Edmond Topi, “Kinemaja, që prezantohet këtë vit në programin kryesor të festivalit paraqet imazhin e Europës, ku dëshirojmë të shkojmë dhe të cilës duam t’i përkasim – një imazh, për këtë arsye tepër të vlefshëm për t’u njohur dhe promovuar. Kësaj prezence europiane i rri me dinjitet në krah edhe një buqetë e vërtetë gjetjesh, trajtimesh dhe individualitetesh nga e gjithë bota, që festivali planifikon t’u ofrojë të ftuarve të vet profesionistë dhe publikut të interesuar në programin e filmit të shkurtër”.
Sipas traditës edhe në këtë edicion konkurrimi do të ndiqet nga disa juri, të përbëra me personalitete të njohura të kulturës, kinemasë dhe medias në rajon dhe më gjerë.
Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Veton Surroi (shkrimtar dhe publicist – Kosovë), dr. Cathy de Haan ( studiuese e filmit dhe komunikimit – Gjermani), Mevlan Shanaj (regjisor – Shqipëri), Zhaklina Oshtir (aktore, Mal i Zi), Agron Vula (regjisor dhe producent – Kosovë) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të gjatë, si edhe do të akordojë çmimet DEA për Aktorin/Aktoren më të mirë në rol kryesor; Fotografinë/Kameran më të mirë; Skenarin më të mirë, Regjinë më të mirë dhe Filmin më të mirë në konkurrimin e filmit të gjatë. Kjo juri ndan çdo vit edhe Çmimin Special të destinuar për kontribute të spikatura të artistësh të rinj me karrierë premtuese në kinematografi.
Juria e filmit të shkurtër, e përbërë nga: Natasha Lako (poete dhe skenariste); Ema Andrea (aktore) dhe Sokol Krasniqi (grafist) do të ndjekë programin e filmit me metrazh të shkurtër, si edhe do të akordojë çmimet DEA për Montazhin më të mirë dhe Regjinë më të mirë në konkurrimin e filmit të shkurtër, Filmin e shkurtër më të mirë si edhe dy çmime, që ndahen nga partnerët mediatikë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR. DEA për Angazhim qytetar (Çmimi i TV Klan) dhe DEA për Idenë më të spikatur (Çmimi i RTV 21 – Kosovë)
Juria e medias, e përbërë nga: Astrit Idrizi (regjisor dhe producent), Violeta Murati dhe Shpresa Dine – gazetare. Sfidë e Edicionit të Katërt të DEA OPEN AIR mbetet afrimi i audiencave me filmin. Për këtë qëllim krahas promovimit të aktivitetit dhe produktit filmik në qytet dhe në media, DEA në bashkëpunim me Neptun Saranda do të organizojë dhe një llotari, në fund të të cilit do ndahet sivjet Çmimi i publikut. Pjesëtarët e publikut do të pajisen në hyrje të kinemasë me një formular vlerësimi për filmin, të cilin do ta dorëzojnë kur të largohen. Formularët e mbledhur do të shërbejnë si bileta për llotarinë dhe si bazë vlerësimi për Çmimin e publikut.
Sivjet për herë të parë do të ndahen dy çmime publiku – meqë në gjininë e filmit të shkurtër konkurrojnë edhe 20 studentë, një juri e përbërë nga studentë të Universitetit Mesdhetar do të ndajnë çmimin DEA për Filmin më të mirë studentor. Edicionin e Katërt të DEA International Film Festival e mbështet Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të cilat së bashku me Bashkinë e Sarandës krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota. Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera europiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon./Mapo.al/