27 Tetor, 2020 - 9:04 am
Filmi “The delegation” (Delegacioni) me regji të Bujar Alimanit edhe me skenar të Artan Minarollit gjatë muajit nëntor do të jetë pjesë e Edicionit Online të 9-të të Festivalit Filmit Evropian në Calgary.
Në këtë festival çdo nëntor prezantohen filmat evropianë nën moton e argëtimit dhe multikulturalizëmit brenda magjisë së kinemasë. Me anëtarësimin e më shumë vendeve evropiane çdo vit, ky festival është bërë i mundur përmes përpjekjeve të një grupi njerëzish entuziastë në 2012, kur u zhvillua edicioni i parë. Shumica e prodhimeve janë nominuar për çmime ndërkombëtare. Filmat shfaqen në gjuhët e tyre përkatëse me titra anglisht. Këtë vit, festivali do të zhvillohet online.
Ngjarjet në filmin “Delegacioni” zhvillohen në tetor të vitit 1990. Regjimi komunist kërkon të mbajë pushtetin, ndërsa, në Tiranë vjen një delegacion evropian për të parë nga afër mbarëvajtjen e reformave të qeverisë. Kusht ky, që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo, i dënuar me 15 vite burg, është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për pushtetin e kohës, sepse delegacioni udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leos. Ai duhet të bindë delegacionin se çdo gjë është në rregull, por ngjarjet marrin tjetër rrjedhë.
Vitin e kaluar “Delegacioni” ka qenë i nominuar nga Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oskar” në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të mirë” në AMPAS./ Diasporashqiptare/ KultPlus.com