1 Shtator, 2019 - 6:46 pm
Filmbërësi i ri shqiptar, Florenc Papas e ka shfaqur premierën botërore të filmit të tij të parë artistik, “Derë e hapur”, në garën e edicionit të 25-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, që u mbajt prej 16 deri më 23 gusht.
Në filmin e tij me buxhet të vogël që shpërfaq rrëfimin e dy motrave në një shoqëri thellësisht patriarkale, Papas e ka kthyer mungesën e buxhetit në përparësi, kryesisht falë performancave mahnitëse dhe një koncepti të suksesshëm audiovizual.
Kur e takojmë motrën e madhe, Rudinën (Luli Bitri), ajo është rreth dyzetvjeçare dhe është e ngarkuar me përgjegjësi të shumta: përpos që punon si rrobaqepëse në një fabrikë lokale, Rudina përkujdeset për vjehërrinë e moshuar, derisa bashkëshorti i saj kërkues punon jashtë, kështu që ata shihen vetëm një herë në vit. Ajo po ashtu është duke e rritur e vetme të birin e tyre njomak, Orionin.
Rudina është duke e pritur motrën e saj, Elmën (Jonida Vokshi) që të kthehet nga Italia, ku ajo jeton dhe punon. Ato duan që së bashku të shkojnë me veturë për vizitë te babai i tyre në fshatin e lindjes, në përvjetorin e vdekjes së nënës. Por posa që Elma mbërrin me traget nga Bari, Rudina mbetet e shokuar kur e sheh se ajo është shtatzënë. /KultPlus.com