14 Gusht, 2020 - 11:48 am
Suada Qorraj
Filmi i shkurtër katërmbëdhjetë minutësh “Salloni”, nëpërmjet komedisë së zezë sjellë para publikut dy tema që kanë hasur në diskutime, por jo në zgjidhje, sidomos në vendin tonë, shkruan KultPlus.
I tërë rrëfimi i këtij filmi zhvillohet në sallonin e bukurisë “Mata Hari”, ku nusja e cila po rregullohej për dasmën e saj, shoqërohet nga diskutimi i grave me versionet e tyre kontradiktore, të lexuara në media, rreth gruas që një natë më parë kishte vrarë burrin e saj.
Xhirimet e këtij filmi, skenari i të cilit kishte filluar të shkruhej qysh në nëntor të 2018-ës, nuk morën shumë kohë, mu në ditët e para të muajit mars, pikërisht në vitin që lam pas u shënua edhe përfundimi i kësaj pune, në qytetin e vogël, por po aq të madh të Prishtinës.
Regjisori Zgjim Terziqi në një intervistë për KultPlus ka thënë se rrëfimi i kishte lindur si nevojë për të diskutuar dy tema që, sipas tij, brengosin shoqërinë, por me të cilat mund të identifikohet e gjithë bota.
“Rrëfimi ka lind si një nevojë e imja për t’i diskutuar dy tema të cilat më brengosin në shoqërinë tonë, por me të cilat mund të identifikohet edhe e tërë bota. Njëra ka të bëjë me dhunën në familje, dhe si ajo shpesh neglizhohet kur lajmërohet në institucionet përkatëse; ndërsa tjetra me gjendjen momentale mediatike dhe ndikimin e saj në formim të mendimit tek lexuesi/shikuesi”, ka thënë ai.
Regjisori ka treguar edhe për vështirësitë që ka hasur gjatë filmit, projekti i të cilit është vetëfinancuar nga ana e tij. Sipas Terziqit filmbërësit në Kosovë tashmë kanë krijuar një imunitet nga mungesa e përkrahjes financiare e shtetit.
“Vështirësi ka gjithmonë në Kosovë, në çdo repart të jetës, por na filmbërsit si duket kemi filluar të krijojmë imunitet nga mospërkrahja financiare e shtetit, edhe pse e përbëjmë ndoshta pjesën më të madhe të eksportit të kulturës dhe gjuhës tonë”, ka deklaruar Zgjim Terziqi.
Terziqi gjithashtu ka thënë se një nga dëshirat e tij që nga premiera e parë e këtij filmi ishte që ta shikonte së bashku me publikun kosovar, por ai shpreson që një gjë e tillë të ndodhë në muajt që vijnë. Filmi i metrazhit të shkurtër “Sallon” premierën botërore e ka pasur në Gusht të vitit të kaluar në Rhode Island në Amerikë. Ndërkaq tashmë është përzgjedhur në afro njëzet festivale të ndryshme. Ndërkaq në gusht të këtij viti filmi do të shfaqet edhe në Portugali, Itali, Kore të Jugut dhe Slloveni, kurse muaji shtator do ta gjejë “Salloni” përsëri përballë publikut Italian. / KultPlus.com