25 Tetor, 2018 - 2:30 pm
Aktori amerikan Leonardo DiCaprio dhe regjisori Martin Scorsese do të punojnë sërish bashkë në adaptimin kinematografik të “Killers of the Flower Moon”, prodhuar nga “Imperative Entertainment”.
Ngjarja e filmit është ambientuar në vitin 1920. Njerëzit më të pasur të botës bënin pjesë në fisin Osage Indian Nation në Oklahoma. Pasi në tokën e tyre u zbulua nafta, nisën të shëtisnin me shofer personal dhe të ndërtonin pallate luksoze dhe t’i çonin fëmijët me studime në Europë. Më pas, nisën vrasjet e tyre. Një agjente e FBI-së merr çështjen në dorë dhe zbulon konspiracionin në atë që është cilësuar si një prej krimeve më monstruoze në historinë amerikane.
Filmi bazohet në librin me të njëjtin titull të David Grann. “Kur lexova librin nisa menjëherë ta shikoja në mendjen time si një shesh xhirim me njerëz e skena dhe duhet ta bëja patjetër film. Mezi pres të nis punën me skenaristin Eric Roth dhe Leo DiCaprio, për ta sjellë në ekran këtë histori të errët amerikane”, -deklaroi Scorsese.
“Killers of the Flower Moon” është bashkëpunimi i gjashtë Scorsese-DiCaprio, pas “Gangs of New York”, “The Aviator”, “The Departed”, “Shutter Island” dhe “The Wolf of Wall Street”./ KultPlus.com