23 Prill, 2023 - 4:28 pm
Dita e dytë e Festivalit te Filmit Polak “Visua”, solli për publikun, filmin fitues të disa çmimeve dhe nominuar nga European Film Awards, “Other People”, me regji të Aleksandra Terpinski.
Vetë regjisorja, e cila ka ardhur në Tiranë në kuadër të festivalit, mbajti një diskutim me publikun pas shfaqjes.
Ndërsa e diela solli në ekran filmin “Prindërit e çiftit” një komedi-dramë që zhvillohet pas një martese në të cilën nusja dhe dhëndri nuk shkëmbyen “po-në” e shenjtë. Askush nuk e di pse Łukasz, dhëndri, e ndërpreu lidhjen. Por të ftuarit që kanë ardhur, disa nga shumë larg, duhet të ftohen të paktën për darkë. Mbrapa sallës së dasmës, prindërit e të rinjve takohen duke u takuar njëkohësisht dy botë të ndryshme, nga klasa të ndryshme sociale. Fillimisht të dy palët shokohen por mbetet për t’u parë çfarë ka ndodhur vallë mes dhëndrit e nuses?
Ditën e hënë, salla e kinemasë rezervohet për dy orare në kuadër të festivalit: në orën 17:00 do të shfaqet një bllok filmash të shkurtër studentorë nga shkolla e filmit “Krzystof Kieslowkski” dhe në orën 19:00 nis shfaqja e filmit të gjatë “Amatorët”.
Ky është edicioni i dytë i festivalit “Visua”, që kësaj here vjen me organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative, si partner kryesor./atsh/KultPlus.com