Djemtë e Diana-s tregojnë kohët e lumtura dhe përjetimet për vdekjen e Princeshës

24 Korrik, 2017 - 11:59 am

“Diana, nëna jonë: jeta dhe trashëgimia e saj” është titulli i një dokumentari të ri rreth jetës së Princeshës së ndjerë Diana e Wellsit.

Filmi tregon historinë e jetës së Dianës, nga miqtë e saj dhe njerëzit që ishin pranë saj. Por në thelb, dokumentari është një intervistë e gjatë me dy djemtë e saj, të cilët flasin hapur rreth kohëve të lumtura me të ëmën dhe si e përjetuan ata vdekjen e saj tragjike.

Duhej pak punë për t’i bindur Princin William dhe Princin Harry që të flisnin për nënën e tyre të ndjerë, thonë krijuesit e dokumentarit të ri televiziv “Diana, Our Mother: Her Life and Legacy” – “Diana, nëna jonë: jeta dhe trashëgimia e saj.”

“Nëna jonë e kishte shpirtin si fëmijë. Kur njerëzit më thonë, na jep një shembull se si ajo kishte qejf argëtimin, më vjen në mendje e qeshura e saj. Një e qeshur e çmendur, lumturi e pastër që shfaqej hapur në fytyrën e saj”, thotë princi Harry.
Regjisori Ashley Gething, i cili ka punuar më parë me familjen mbretërore për filmin televiziv të vitit 2016 “Mbretëresha jonë 90 vjeç”, tha se princat kishin dëshirë ta kujtonin mamanë e tyre, 20 vjet pas vdekje së saj tragjike. Princi William ishte 15 vjeç kur vdiq Diana, ndërsa Harry ishte 12 vjeç:

“Nëse keni pasur rastin të shihni funeralin e saj, patjetër keni parë ata djem që ecnin prapa arkivolit të mamasë të tyre, dhe duhet të keni pyetur veten se si mund ta përballonin atë tragjedi; përgjigjen ata e japin në këtë film”, thotë regjisori.
Në dokumentar, Princat kujtojnë momente të lumtura të fëmijërisë së tyre, duke folur për Princeshën Diana si një mama e dashur, e bukur dhe çapkëne, e cila i ndihmonte ata të merrnin ëmbëlsira kur nuk u lejohej.

“Duket se ka pasur shumë momente të lumtura, shumë të qeshura, ka pasur shumë dashuri, shumë përqafime… është një histori tejet personale që ata tregojnë për jetën me nënën e tyre”.
Gething thotë se dokumentari tregon jetën familjare të Dianës, larg syve të publikut. Princat William dhe Harry flasin gjithashtu për tronditjen që përjetuan kur nëna e tyre 36 vjeçare vdiq në vitin 1997, bisedën e fundit telefonike me të nga Parisi, natën kur ajo u vra, dhe hidhërimin që pasoi humbjen e saj.
Regjisori Gething bisedoi për realizimin e dokumentarit për Princeshën e Uellsit edhe me njerëz të tjerë rreth, si miqtë e fëmijërisë dhe vëllai i saj.
Dokumentari “Diana, Nëna jonë: Jeta dhe Trashëgimia e saj” shfaqet në kanalin televiziv HBO më 24 korrik 2017./ KultPlus.com

Të ngjajshme