16 Korrik, 2020 - 1:08 pm
Duke pasur parasysh paqartësitë që po e përcjellin krizën globale të shkaktuar nga pandemia si dhe duke pasur parasysh njoftimet e fundit të qeverisë së Kosovës lidhur me situatën e sigurisë dhe shëndetit publik, DokuFest ka vendosur ta bartë edicionin e 19 të festivalit në sferën dixhitale.
Këtë vit, festivali do të jetë i hapur prej 7-25 gusht me programe të filmit, panele, masterklasa, punëtori bashkëpunuese si dhe me performanca muzikore online.
Për ta sjellë festivalin online, DokuFest ka bashkëpunuar me Festival Scope dhe Shift72 në mënyrë që të garantojnë përvojën më të mirë të transmetimit online si dhe të sigurojnë që programi i tyre të jetë i qasshëm për audiencën lokale dhe regjionale.
”Inspiruar nga bendi britanez post-punk Joy Division dhe njërën prej këngëve të tyre ikonike, tema e këtij viti TRANSMISIONI në shumë mënyra do të vë në pah TRANZICIONIN të cilin jemi duke e përjetuar si shoqëri, teksa po e kuptojmë që bota dhe çdo gjë që dimë për të po TRANSFORMOHET shumë shpejt.
Andaj këtë vit, ju ftojmë të jeni pjesë e një eksperimenti ku përmbajtja e festivalit do të transmetohet dixhitalisht dhe do të zgjerohet përtej kinemave dhe hapësirave të zakonshme të qytetit të Prizrenit. Kësisoj, shpresojmë të transformohemi personalisht dhe kolektivisht përmes mënyrave të reja të të menduarit, punuarit dhe shpërndarjes.’, thuhet në njoftim. / KultPlus.com