Dokumentari ‘A House Made of Splinters’ i nominuar për Oscar 

5 Mars, 2023 - 11:50 pm

“A House Made of Splinters”, dokumentari i regjisorit danez Simon Lereng Wilmont, me nominimin e tij në çmimet Oscar, hedh më shumë dritë mbi luftën në Ukrainë dhe ndikimi i saj tek fëmijët.

“Një nga gjërat që përpiqem të përshkruaj janë pasojat më të padukshme dhe shumë të vështira të luftës në një shoqëri të vogël, por po aq e rëndësishme. Ideja është të kuptohet aftësia e mahnitshme e fëmijëve për t’u përshtatur, për të mbijetuar dhe për t’u përpjekur që edhe në rrethana tragjike të kenë një qasje pozitive në marrëdhëniet e ngushta personale, apo në miqësitë që ata krijojnë.”

Filmi që u xhirua para fillimit të konfliktit të vitit 2022, tregon jetën e fëmijëve në një institucion në Ukrainën Lindore. Të vegjlit janë larguar përkohësisht nga prindërit e tyre dhe jetojnë së bashku me bashkëmoshatarët dhe punonjësit socialë.

“Nuk ka dyshim se pasqyrimi  i emocioneve si pozitive dhe negative, siç kam hasur në këtë strehë, më prek thellë, por  kuptova më vonë se ishte mirë për mua të ndihesha kështu, megjithëse do të preferoja të qëndroja sa më i qetë. Për fëmijët, kur përjetojnë këtë lloj emocionesh, ata kanë vërtetë nevojë për praninë e një të rrituri që t’i bëjë ata të kuptojnë se e kanë situatën nën kontroll dhe në një lloj mënyre ata ndiejnë një lloj qetësie dhe mbështetje në këto situata.”

Ky dokumentar përqëndrohet tek tre fëmijë që nuk e dinë se cili do të jetë fati i tyre. Përsa kohë kjo mbetet mister, një grup punonjësish socialë të përkushtuar krijojnë çaste gëzimi për të vegjlit.

Përmes lentes së kamerës në këtë strehë, lihet të kuptohet se ky institucion është një vend i mbushur me kujdes, mbështetje por dhe besim që fëmijët kanë nevojë më shumë se kurrë.

Dokumentari është i dyti i regjisorit danez për Ukrainën lindore, pas atij të vitit 2017 “The Distant Barking of Dogs”.

“A House Made of Splinters” është nominuar në kategorinë e filmit dokumentar së bashku me katër dokumentar të tjerë, duke përfshirë “Navalny” të regjisorit Daniel Roher i cili flet për liderin e opozitës ruse Alexei Navalny dhe ngjarjet që lidhen me helmimin e tij.

Filmat fitues të ngjarjes më të rëndësishme kinematografike do të shpallen më 12 Mars në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Los Angeles./KultPlus.com

Të ngjajshme