7 Janar, 2021 - 3:25 pm
Dokumentari “Wake Up on Mars”, nën regji të Dea Gjinovcit, është në garë në dy kategori, në atë që njihet si festivali më i vjetër në Zvicër.
Garon në kategorinë “Opera Prima” dhe “Prix de Soleure”, në festivalin “Solothurn Film Festival”. Edicioni i sivjetmë, i 56-i me radhë, do të mbahet prej 20 deri më 27 janar.
Themeluar më 1966 në Zvicër, festivali i përvitshëm “Solothurn Film Festival”, është një përzgjedhje e filmave zviceranë, atyre të gjatë, të shkurtër, dokumentarëve dhe produksioneve të tjera filmike. Nëpërmjet diskutimeve, audienca takon figura me rëndësi të industrisë së filmit dhe diskutohet për filmat e shquar, si dhe kulturën e filmit në Zvicër. Me më shumë se 60 mijë vizitorë çdo vit, “Solothurn Film Festival” radhitet në mesin e ngjarjeve me më nam në Zvicër.
Historia e dokumentarit “Wake U pon Mars” i regjisores kosovare nis me një artikull që regjisorja e kishte lexuar në “New Yorker”. Aty në mënyrë të detajuar flitet për jetën e një familjeje rome nga Kosova që jeton në Suedi, dy vajzat e së cilës kanë qenë në komë për disa vite. Ato vuajnë nga e ashtuquajtura “sindromë e tërheqjes traumatike”. /koha.net/ KultPlus.com